Mexhiti: BDI ankohet kot për provimin e jurisprudencës, vetë nuk e zgjidhi për mbi 20 vjet

Nga D. V.
395 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 Prill, Zhurnal.mk – Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti në një intervistë në (Vetëm intervistë) në Kanal 5, ka thënë se VLEN vendosi standarde dhe vlera të reja në bllokun politik shqiptar. Kjo sipas Mexhitit është bërë përmes punës ekipore.

“Dëshmuam dhe sollëm ndryshime në bllokun politik shqiptar pas 20 vitesh, jo individualisht, por si ekip, së pari bëmë bashkimin e opozitës duke kaluar suetat dhe ngjyrat partiake, sepse besoj në punë ekipore. Çdo javë shihemi si koalicion VLEN, bisedojmë për programin, atë që e kemi premtuar dhe bashkë i ecim punët”, tha Mexhiti.

Në pyetjen se a do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mexhiti theksoi se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka pësuar humbje të thellë në zgjedhjet lokale, jo vetëm në Çair, por në të gjithë Shkupin.

Sipas tij, kjo parti ka mbetur vetëm me disa komuna rurale, duke përmendur Çashkën, Likovën dhe Pllasnicën.

Ai shtoi se VLEN nuk i frikësohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa për BDI-në, sipas tij, ato do të nënkuptonin fundin politik.

“Kohën e fundit nuk i dëgjoj edhe po të ketë mundësi për zgjedhje të parakohshme të parët që i ikin kësaj janë ata, sepse do të thoshte fundi i tyre. Ky vit është i vetmi vit ku nuk do të ketë zgjedhje, është hapësirë e qeverisë që të realizojë programin që është premtuar dhe për momentin vlerësoj se nuk ka nevojë të mbahen zgjedhje të parakohshme pasi kjo shumicë historikisht është më e madhja në Kuvend”, ka thënë Mexhiti.

Provimi i jurisprudencës në shqip

Duke folur për çështjen e provimit të jurisprudencës, Mexhiti kritikoi BDI-në për moszgjidhjen e këtij problemi ndër vite, pavarësisht se, sipas tij, pesë ministra të drejtësisë kanë qenë nga radhët e kësaj partie.

Ai theksoi se është e padrejtë që studentët shqiptarë të studiojnë në gjuhën shqipe dhe më pas të detyrohen të japin provimin në një gjuhë tjetër.

“Kanë qenë 5 ish ministra të BDI-së të cilët nuk e zgjidhën, dalin dhe protestojnë, studentët studiojnë në shqip dhe është logjike dhe u takon që atë ta japin në gjuhën shqipe. Si mundet që 5 ish ministra të Drejtësisë nga BDI të protestojnë se pse këtë nuk e zgjidh Fillkovi, pse ata nuk e zgjidhën në kohën e tyre?”, ka pyetur Mexhiti.

Sipas tij, ka raste, që anëtarë të BDI-së kanë dhënë provimin e jurisprudencës në maqedonisht dhe të njëjtët protestojnë dhe kjo po u kthehet si bumerang.

Sipas Mexhitit, koalicioni ka kapacitet demokratik që të gjejë zgjidhjet më të mira ligjore edhe sa i takon kësaj pike.

“Në kuadër të ligjit, ka grup ekspertësh dhe do të dalin me zgjidhje. Koalicioni ka kapacitet demokratik që të analizojë, debatojë dhe të gjejë zgjidhjet më të mira ligjore. Në kuadër të ligjit dhe kushtetutës do të gjendet zgjidhje afatgjate, jo zgjidhje gjysmake”, ka thënë Mexhiti, njëherësh kryetar i Çairit.

I pyetur për kthimin e Artan Grubi, Mexhiti tha se kjo çështje duhet t’i lihet drejtësisë.

“Është mirë që u kthye dhe duhet të përballet me ligjin. A do të flasë dhe sa është fajtor, kjo i takon atij ta dëshmojë”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk ka ndonjë marrëveshje në këtë drejtim.

Mexhiti sqaroi rastin e Haqim Ramadanit, i punësuar në Komunën e Çairit

Sa i përket angazhimit të Haqim Ramadani në Komunën e Çairit, Mexhiti tha se bëhet fjalë për një kuadër me përvojë në pushtetin lokal, i cili nuk mund të lihej pa angazhim.

“Është jurist i njohur dhe ka përvojë në pushtetin lokal. Nuk ka logjikë që një kuadër i tillë të mbetet jashtë sistemit”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se Ramadani aktualisht është i punësuar në komunë dhe do të kontribuojë në fushat ku ka ekspertizë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër