Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, nga sot deri më 26 korrik, do të mbahet edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar muzikor “Çarshija”, i cili synon të shndërrohet në traditë të re kulturore për Çairin dhe Shkupin.
Festivali, nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Deshira Ahmetit, sjell program me muzikë klasike, opera, flamenko dhe zhanre të tjera që ndërthurin traditën me interpretimin bashkëkohor.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në konferencën e mëngjesit njoftoi se ngjarjet do të zhvillohen në Suli Han dhe Kurshumli Han.
Duke folur për rëndësinë e manifestimit, Mexhiti theksoi:
“Çairi e pasuron kalendarin e vet kulturor me një ngjarje të re të rëndësishme. Nga sot deri më 26 korrik do të mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar Muzikor ‘Çarshija’, një iniciativë që synojmë ta kthejmë në traditë vjetore dhe ta zhvillojmë në një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore të qytetit. Festivali do të mbahet në Suli Han dhe Kurshumli Han, dy monumente të trashëgimisë sonë kulturore, të cilat për katër netë do të jenë mikpritëse të artistëve të njohur vendas dhe ndërkombëtarë.”
Ai shtoi se zgjedhja e këtyre hapësirave historike ka simbolikë të veçantë:
“Çarshia e Vjetër ka qenë gjithmonë vend takimi kulturash, njerëzish dhe historish. Prandaj besojmë se është hapësira ideale ku arti mund të marrë rol më të rëndësishëm në jetën publike dhe të krijojë lidhje natyrale mes trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë bashkëkohore.”
Mexhiti theksoi se investimi në kulturë është thelbësor për zhvillimin e komunitetit lokal:
“Përmes këtyre projekteve krijojmë mundësi për artistët, u ofrojmë qytetarëve përmbajtje cilësore kulturore dhe njëkohësisht promovojmë identitetin kulturor e historik të Çairit dhe Shkupit. Synimi ynë është që festivali të zhvillohet në një platformë të qëndrueshme që çdo vit rritet në cilësi dhe përmbajtje, të tërheqë artistë e vizitorë nga rajoni dhe më gjerë, duke pasuruar ofertën kulturore të Shkupit.”
Në prezantimin zyrtar të festivalit morën pjesë edhe ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, si dhe artistet e operës Inva Mula dhe Deshira Ahmeti.
