Shkup, 02 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, njëkohësisht kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas përfundimit të zgjedhjeve në Bërvenicë, duke bërë thirrje për tejkalimin e retorikës polarizuese dhe për rikthimin te dialogu dhe bashkëpunimi politik. Ai deklaratat nxitëse të fushatës dhe ato paszgjedhore i cilësoi si “folklor politik”.
Mexhiti theksoi se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se Bërvenica tashmë ka kryetar komune, ndërsa të gjithë duhet t’u kthehen obligimeve të përditshme.
Duke komentuar deklaratat e bëra gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, ai tha se ato nxitëse i kishte konsideruar si folklor parazgjedhor, ndërsa deklaratat polarizuese të dëgjuara pas shpalljes së rezultateve i trajton në të njëjtën mënyrë, si folklor paszgjedhor.
Sipas Mexhitit, vota është shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe asnjë subjekt apo aktor politik nuk mund të pretendojë se i ka votat në pronësi.
Ai gjithashtu vlerësoi se pozicionimi politik kundër të gjithëve nuk përbën strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që, herët a vonë, prodhon zhgënjim.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit të tij, Mexhiti ia kushtoi marrëdhënieve në shoqëritë multietnike, duke theksuar se në demokraci të tilla nuk duhet të krijohen ndarje mes “ne” dhe “ata”, pasi kjo, sipas tij, nënkupton pabarazi dhe tendenca për të shtypur tjetrin.
“Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë”, ka shkruar Mexhiti.
Në fund, ai u shpreh se politika nuk duhet të merret me arsyetime dhe interpretime paszgjedhore sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt, por duhet të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e saj.
“Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta”, përfundoi Mexhiti në reagimin e tij në Facebook.
