Shkup, 17 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, takoi dhe përshëndeti futbollistët e rinj të KF Albarsa, të cilët do të përfaqësojnë Çairin dhe vendin tonë në Dana Cup në Danimarkë, një nga turnetë më të mëdhenj ndërkombëtarë të futbollit për grupmoshat e reja.
Klubi do të garojë me dy gjenerata, të lindurit në vitet 2011 dhe 2013, duke u përballur me ekipe nga mbarë bota. Me këtë rast, Mexhiti u uroi sportistëve dhe stafit teknik suksese në këtë sfidë ndërkombëtare, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e sportit dhe të rinjve.
“Ju nuk përfaqësoni vetëm klubin tuaj, por edhe Çairin dhe vendin tonë. Jam i bindur se me disiplinë, përkushtim dhe shpirt sportiv do të na përfaqësoni me dinjitet në këtë turne prestigjioz. Ju uroj suksese dhe përvoja të paharrueshme,” deklaroi Mexhiti.
