Shkup, 11 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deklaroi se rikonstruksioni i Çarshisë së Vjetër po shkon drejt përfundimit dhe rezultatet tashmë janë të dukshme.
“Premtuam ta rikthejmë shkëlqimin e Çarshisë. Sot, rezultati po shihet. Pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar dhe rikonstruksioni po shkon drejt përfundimit. Në 1.567 m² kemi ndërhyrë nga nëntoka deri te pamja përfundimtare, në ujësjellës, kanalizim, rrjet elektrik dhe fibra optike, restaurim të kalldrëmit me gur travertin, ndriçim të ri tradicional dhe hapësira më të rregulluara për këmbësorët. Me mbi 28 milionë denarë investim, pas më shumë se pesë dekadash, Çarshia po ndryshon rrënjësisht duke ruajtur identitetin e saj”, theksoi Mexhiti.
Ky projekt, sipas tij, është një nga investimet më të rëndësishme të komunës, që synon të ruajë trashëgiminë kulturore dhe historike të Çarshisë së Vjetër, duke e kthyer atë në një hapësirë moderne për qytetarët dhe vizitorët.
