Mexhiti uron Presidenten e re të Kosovës: Zgjedhja e saj nderon gjithë botën akademike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 07 tetor, Zhurnal.mk – BashkëKryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar Presidenten e re të Kosovës, akademiken Justina Shiroka-Pulën, duke e vlerësuar zgjedhjen e saj si një hap të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe politik të vendit.

Mexhiti ka theksuar se Shiroka-Pulën e njeh për kontributin e saj intelektual dhe veprat në fushën e ekonomisë.

“Është një intelektuale e dëshmuar, dhe zgjedhja e saj nderon jo vetëm institucionin e Presidentit, por gjithë botën akademike”, ka shkruar Mexhiti.

Sipas tij, zgjedhja e Shiroka-Pulës përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik të Kosovës, si dhe për një frymë të re përgjegjësie në një periudhë sfiduese për vendin.

Duke iu referuar edhe procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, Mexhiti ka thënë se bëhet fjalë për një periudhë të vështirë për Kosovën.

Ai ka vlerësuar gjithashtu konsensusin politik të arritur, duke e cilësuar atë si dëshmi të pjekurisë politike dhe vizionit për tejkalimin e ngërçeve institucionale.

“Për këtë, përgëzime për kryeministrin Albin Kurti për maturinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të rëndësishëm”, ka shkruar Mexhiti.

Në fund, ai ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione të forta, stabilitet dhe unitet politik.

“Urime Kosovë!”, përfundon mesazhi i Mexhitit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër