Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës në Nju Jork, realizoi disa takime bilaterale me përfaqësues të lartë, në të cilat u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat globale aktuale.
Kryeministri Mickoski gjatë ditës së djeshme realizoi takim me presidentin e Republikës së Finlandës, Aleksandar Stub, me të cilin bisedoi për rëndësinë e paqes, dialogut dhe udhëheqjes së përgjegjshme, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit multilateral. Në takim u theksua edhe rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope stabile dhe të sigurt.
Fokus i takimit bilateral me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për zhvillimin e dy shteteve.
Presidenti Mickoski realizoi takim bilateral edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në të cilin u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë, vazhdimin e proceseve reformuese sipas standardeve evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri Mickoski gjithashtu realizoi takim edhe me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas, në të cilin u shqyrtuan sfidat rajonale aktuale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni stabil dhe të sigurt.
Takimet në Nju Jork e konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për rol aktiv dhe konstruktiv në bashkësinë ndërkombëtare, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.
Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni stabil, të sigurt dhe prosperues, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
