Shkup, 8 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij me rastin e 35‑vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, u ndal te ndarjet politike në vend, kritikat ndaj Qeverisë dhe nevoja për dialog, por porositi se për çështjet që lidhen me identitetin, gjuhën dhe kulturën nuk ka kompromis.
Mickoski vlerësoi se 35 vjet pas pavarësisë ekziston nevoja për ballafaqim të sinqertë me dobësitë e shoqërisë, por kritikoi ashpër, siç i quajti, “elitat politike që prodhojnë pa shpresë, dëshpërim dhe ndarje”.
“Ato janë fabrikë për prodhimin e pa shpresës dhe dëshpërimit. Urrejtje që e helmon shoqërinë. Politika e tillë humbëse duhet të na tërheqë të gjithë poshtë. Çdo i ri të fillojë të dyshojë. Të na paraqesin se jemi të njëjtë kur jemi kaq shumë të ndryshëm. Por individët e tillë nuk janë të denjë për kohën në të cilën jetojnë dhe për rolin për të cilin luftojnë. Ata janë pesha që tërheq poshtë dhe e gjithë kjo është rezultat i asaj që ata duan pushtet për shkak të parave dhe fuqisë, jo për shkak të idesë dhe konceptit”, tha Mickoski, duke shtuar se, sipas tij, ekzistojnë forca politike që kundërshtojnë projektet dhe politikat që çojnë drejt zhvillimit.
Kryeministri përmendi ndërtimin e spitaleve dhe rrugëve, qendrën e re klinike, projektet infrastrukturore, hekurudhën e shpejtë, rritjen e pagave dhe pensioneve, qendrat e të dhënave dhe investimet e reja si pjesë e punëve për të cilat, siç vlerësoi, Qeveria përballet me kritika.
Në atë kontekst u ndal edhe te blerja e avionit të ri qeveritar, duke theksuar se nuk merret parasysh fakti që mjeti mund të përdoret edhe për evakuime mjekësore.
“Në fund, kur të përfundojë e gjithë kjo, as qendrat e të dhënave, as spitalet, as shkollat nëpër komuna, as avioni, nuk do t’i marr me vete. Ato mbeten te qytetarët, te shteti, te populli”, porositi Mickoski.
Pavarësisht kritikave të ashpra, kryeministri porositi se Qeveria do të vazhdojë të ofrojë dialog dhe të ndërtojë ura, duke theksuar se politika duhet të jetë aftësi e bisedës, jo e polarizimit dhe bllokadave.
“Do të vazhdojmë të ndërtojmë ura. Do të shtrijmë dorën për çështje të rëndësishme për të ardhmen tonë dhe nuk do të heqim dorë nga ofrimi i dialogut”, tha Mickoski.
Megjithatë, ai theksoi se ekzistojnë çështje për të cilat, siç tha, nuk ka kompromis dhe marrëveshje “nën tavolinë”, veçanërisht kur bëhet fjalë për identitetin, ekzistencën, gjuhën dhe kulturën.
“Nuk ka lojë për atë që do të thotë identiteti ynë. Ekzistenca jonë. Gjuha dhe kultura jonë. Kompromisi për këto çështje do të thotë rrëzim i bazës maqedonase dhe i Ilindenit”, porositi kryeministri.
Mickoski e përfundoi fjalimin me mesazhin se fjala dhe nderi duhet të mbeten mbrojtja më e fortë e shtetit.
“Fjala jonë është mbrojtja më e fortë, dhe me fjalën nuk ka lojë. Atëherë luan me nderin. E kur ta humbësh nderin, atëherë asgjë tjetër nuk të duhet në jetë”, tha Mickoski.
