Shkup, 26 maj, Zhurnal.mk – Vizita e Plenkoviqit pritet të shënohet me forcimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve, pasi dy kryeministrat do të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Gjithashtu, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Ekonomisë e Kroacisë do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi.
Në një reagim publik, Mickoski theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe bashkëpunimit rajonal.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të mirëpres Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Ky takim është konfirmim i marrëdhënieve të mira dhe miqësisë ndërmjet Maqedonisë dhe Kroacisë, si dhe i rëndësisë së bashkëpunimit të ndërsjellë, vlerave evropiane dhe stabilitetit rajonal”, shkroi Mickoski.
Sipas agjendës zyrtare, në ora 12:30 është paraparë konferencë e përbashkët për media e dy kryeministrave, ndërsa gjatë vizitës së Plenkoviqit do të mbahet edhe takim biznesi mes kompanive nga të dyja vendet, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve.
