Mickoski: Qëndroj fort pas ndërtimit të qendrave të të dhënave

Nga D V
1,088 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski sot nga Berova përsëri doli në mbrojtje të zhvillimit të industrisë me qendra të të dhënave në Maqedoni, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një proces të pakthyeshëm dhe për një sektor në të cilin shteti duhet të pozicionohet nëse dëshiron të jetë lider në rajon.

Duke folur për iniciativën në Pehçevë, Mickoski tha se bëhet fjalë për një nismë private dhe se Këshilli lokal dhe Komuna tashmë e kanë shprehur qëndrimin e tyre. Megjithatë, ai theksoi se Qeveria mbetet në objektivin për zhvillimin e këtij lloj industrie në lokacione ku ka kushte dhe ku kjo lejohet me ligj.

“Ne si shtet absolutisht mbetemi në qëllimin tonë për zhvillimin e këtij lloj industrie, sepse kjo është e ardhmja dhe ky proces është i pakthyeshëm”, deklaroi Mickoski.

Ai i hodhi poshtë kritikat e opozitës, duke vlerësuar se një pjesë e mesazheve publike për rreziqet nga qendrat e të dhënave janë të politizuara dhe bazohen në argumente të vjetruara. Sipas tij, nuk mund të thuhet paraprakisht se investimet e tilla do të kenë ndikim negativ mbi cilësinë e jetës.

Mickoski porositi se shteti duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë lider në rajon apo sërish të mbetet në fund, duke shtuar se politikisht dhe profesionalisht qëndron pas zhvillimit të kësaj industrie.

“Unë absolutisht, si politikisht, ashtu edhe si profesor dhe si inxhinier, qëndroj pas ndërtimit të kësaj industrie dhe do ta mbështes plotësisht”, tha kryeministri, duke shtuar se Qeveria do të marrë edhe rrezikun institucional për zhvillimin e sektorit.

Në lidhje me njërin nga pyetjet kryesore në opinion – kush do ta paguajë energjinë elektrike që do ta konsumojnë qendrat e të dhënave – Mickoski tha se shpenzimin do ta mbulojë investitori.

“Rrymën do ta paguajë ai që do ta konsumojë, me çmimin që do ta negociojë në tregun e lirë”, deklaroi ai.

Kryeministri u ndal edhe te debati për konsumin e ujit për ftohjen e qendrave të të dhënave. Sipas tij, një pjesë e kritikave bazohen në teknologji të vjetra 10, 15 ose 20 vjet dhe nuk e marrin parasysh sistemet bashkëkohore.

Mickoski theksoi se sot ekzistojnë mënyra të ndryshme të ftohjes, varësisht nga qëllimi i qendrës së të dhënave dhe nga ajo nëse infrastruktura do të përdoret për inteligjencë artificiale apo për shërbime të tjera digjitale.

Deklarata vjen në një periudhë debati politik të intensifikuar rreth paralajmërimeve të Qeverisë se po bisedon me disa investitorë potencialë për qendra të të dhënave, ndërsa opozita kërkon të publikohen detajet për konsumin e rrymës dhe ujit, kushtet që do t’u ofrohen investitorëve dhe përfitimin ekonomik për shtetin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër