Mickoski: Qeveria shqyrton edhe skenarin e pezullimit të pagesave në shtyllën e dytë pensionale për një ose më shumë vite

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Për të zvogëluar deficitin prej rreth një miliard eurosh në vit në Fondin e Sigurimit Pensional, Qeveria po shqyrton disa zgjidhje të mundshme, pas paralajmërimeve të Këshillit Fiskal se nevojiten reforma urgjente në sistemin pensional.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se kompanitë që menaxhojnë fondet e shtyllës së dytë pensionale nuk kanë arritur rezultatet e pritshme, pasi kthimet nga investimet janë tre herë më të ulëta se ato që ishin parashikuar kur sistemi u krijua para 20 vitesh.

“Po shqyrtojmë disa skenarë. Njëri është nacionalizimi i plotë i shtyllës së dytë pensionale, siç kanë vepruar disa vende të Evropës Qendrore, si Hungaria dhe Polonia. Ekziston edhe modeli skandinavo-baltik, ku pagesat në shtyllën e dytë të detyrueshme pensionale janë pezulluar për një ose më shumë vite për të ulur deficitin buxhetor dhe për të rritur investimet kapitale. Te ne, për fat të keq, kompanitë që menaxhojnë këto fonde nuk po sigurojnë kthimet e nevojshme për qytetarët, pasi ato janë tri herë më të ulëta nga sa pritej”, tha Mickoski.

Sipas tij, rezultatet e dobëta tregojnë mungesë efikasiteti në menaxhimin e fondeve pensionale, ndërsa Qeveria po shqyrton edhe mundësinë që qytetarët të zgjedhin vetë nëse do të kontribuojnë vetëm në fondin shtetëror apo edhe në shtyllat private pensionale.

“Me këtë qasje nuk mund të vazhdohet më. Ose do të punohet më seriozisht, ose duhet të ndryshojë mënyra se si funksionon sistemi. Është e papranueshme që kompanitë që menaxhojnë kursimet pensionale të qytetarëve të mos arrijnë t’i shtojnë ato sipas pritjeve”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se përfituesit e parë të shtyllës së dytë po marrin pensione shumë të ulëta, çka detyron shtetin të sigurojë mjete shtesë për të garantuar pensionin minimal dhe sigurinë sociale.

Mickoski siguroi se kursimet e qytetarëve të grumbulluara deri më tani në shtyllën e dytë pensionale janë pronë e tyre dhe nuk do të humbasin, pavarësisht modelit që do të zgjidhet për reformimin e sistemit.

Këshilli Fiskal paralajmëroi një muaj më parë se sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut po përballet me sfida serioze financiare, pasi deficiti i përgjithshëm i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (PIOM), së bashku me detyrimet ndaj shtyllës së dytë pensionale dhe sigurimit shëndetësor të pensionistëve, ka arritur pothuajse një miliard euro në vit, duke imponuar nevojën për reforma urgjente.

artikuj të ndërlidhura