Mickoski: Ta ruajmë dhe ta ndërtojmë shtetin, të mos lejojmë askënd ta poshtërojë!

Nga D. V.
632 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 maj, Zhurnal.mk – Me një ceremoni solemne në fshatin Razllovc, Komuna e Dellçevës, sot u shënua 150-vjetori i Kryengritjes së Razllovecit. Në ngjarje mori pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, i cili në fjalimin e tij përcolli mesazhe për unitet dhe respekt ndaj sakrificës historike të kryengritësve.

“Ta ruajmë dhe ta ndërtojmë shtetin. Të mos lejojmë askënd ta poshtërojë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e Kryengritjes së Razllovecit. Sakrifica e tyre le të jetë betimi ynë. Qoftë e përjetshme Maqedonia”, tha Mickoski në fjalimin e tij me rastin e 150-vjetorit të kryengritjes në fshatin Razllovc, Komuna e Dellçevës.

Ai bëri thirrje për bashkim rreth interesave shtetërore dhe kombëtare, duke theksuar se asnjë dallim politik nuk duhet të jetë më i madh se atdheu dhe asnjë ambicie personale më e rëndësishme se e ardhmja e fëmijëve.

Ai theksoi se Kryengritja e Razllovecit përfaqëson themelin e luftës popullore për liri dhe zgjimin e vetëdijes kombëtare.

“Sot jemi këtu, në Razllovc, në këtë tokë të shenjtë, për të shënuar 150 vjet nga Kryengritja e Razllovecit. Qëndrojmë përballë historisë, përballë sakrificës dhe kujtimit të njerëzve që në një kohë të vështirë dhe të errët zgjodhën rrugën më të vështirë, por edhe më të shenjtë – rrugën e lirisë”, tha ai.

Sipas tij, kryengritja nuk ishte vetëm një rezistencë e armatosur, por një zgjim i vetëdijes popullore dhe një “klithmë e parë e fuqishme” për të jetuar të lirë dhe me dinjitet.

Mickoski shtoi se lufta për shtetin sot vazhdon në forma të tjera – përmes punës, institucioneve dhe unitetit – por me të njëjtën thelb.

Ai paralajmëroi gjithashtu se shteti nuk duhet të jetë “shtet i poshtërimeve, lëshimeve dhe shitjeve”, duke theksuar se populli ka sakrifikuar shumë për të lejuar kompromis me identitetin dhe historinë.

Në këtë ngjarje foli edhe ministri i Kulturës Zoran Ljutkov, i cili tha se “heronjtë e Razllovecit nuk e mundën perandorinë, por e mundën heshtjen”.

Kryetari i Komunës së Dellçevës, Ivan Gocovski, njoftoi iniciativë që Razllovci të shpallet zonë historike e mbrojtur dhe që 19 maji të shpallet ditë jo pune.

Ceremonia përfundoi me vendosjen e luleve të freskëta nga delegacione të ndryshme para Shtëpisë Përkujtimore të Kryengritjes së Razllovecit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër