Shkup, 19 Maj, Zhurnal.mk – Ministrja e Financave e Maqedonia e Veriut, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se huamarrja e fundit e jashtme e shtetit do të realizohet në kushte dukshëm më të favorshme, me norma më të ulëta interesi dhe me periudhë më të gjatë maturimi, duke e cilësuar këtë si tregues të rritjes së besimit të institucioneve financiare ndërkombëtare ndaj ekonomisë maqedonase.
Në intervistën për Televizionin Alfa, Dimitrieska-Koçoska theksoi se kushtet e reja të financimit janë rezultat i politikave ekonomike dhe fiskale që, sipas saj, po japin sinjale pozitive në tregjet ndërkombëtare financiare.
“Huamarrja e fundit e jashtme do të realizohet në kushte dukshëm më të favorshme, me norma interesi më të ulëta dhe me periudhë afatgjate maturimi, që është tregues i rritjes së besimit të institucioneve financiare ndërkombëtare në ekonominë maqedonase”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se obligimi i institucioneve është ruajtja e stabilitetit fiskal dhe menaxhimi racional i mjeteve publike, me qëllim mbajtjen nën kontroll të borxhit publik dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik afatgjatë.
Dimitrieska-Koçoska në disa paraqitje të mëhershme ka theksuar se normat më të favorshme të interesit dhe interesimi i investitorëve ndërkombëtarë janë sinjal i përforcimit të besimit në politikat ekonomike të vendit.
