Ministri Vellkovski nënshkroi kontratat për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale me nëntë komuna

Nga D. V.
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot nënshkroi kontratat për grantet, të ndara përmes Thirrjes së Parë Publike për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, në kuadër të projektit të dytë të përmirësimit të shërbimeve sociale.

Gjatë nënshkrimit morën pjesë kryetarë komunash dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile – partnerë në realizimin e granteve, përmes të cilave në disa komuna në të gjithë vendin do të krijohen dhe do të avancohen shërbimet sociale, në përputhje me nevojat e popullsisë lokale.

Me grantet e ndara mbështetet zhvillimi i shërbimeve sociale të qasshme, cilësore dhe të qëndrueshme në komunitetin lokal, të përshtatura me nevojat e përdoruesve dhe të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së tyre të jetesës.

Në kuadër të granteve do të krijohen dhe zhvillohen shërbimet e mëposhtme:

Ndihmë dhe kujdes në shtëpi për personat e moshuar dhe të pafuqishëm në komunat Gazi Babë, Petrovec, Saraj dhe Vallandovë;
Qendra ditore për të moshuarit, me fokus në plakjen aktive dhe dinjitoze, në komunat Pllasnicë, Bogovinë dhe Jegunovcë;
Qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara, me qasje të individualizuar dhe mbështetje të përshtatshme, në komunat Prilep dhe Krivogashtan.

“Me nënshkrimin e këtyre kontratave hedhim hap konkret drejt përafrimit të shërbimeve sociale me qytetarët. Qëllimi ynë është që mbështetja të jetë e qasshme aty ku është më e nevojshme – në komunitetin lokal, në mjedisin ku jetojnë përfituesit. Njëkohësisht, e përforcojmë rolin e komunave dhe të organizatave të shoqërisë civile si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore sociale” – theksoi ministri Vellkovski.

Nënshkrimi i kontratave paraqet hap konkret në avancimin e sistemit të mbrojtjes sociale dhe në vazhdimin e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, përmes përforcimit të kapaciteteve dhe rolit të vetëqeverisjes lokale dhe sektorit civil.

Veçanërisht e rëndësishme është se mbështetja është e orientuar drejt shërbimeve që janë më pranë dhe më të qasshme për përdoruesit në komunitetet e tyre lokale, duke krijuar kushte për mbështetje në kohë, të vazhdueshme dhe të përshtatshme për personat e moshuar, personat me aftësi të kufizuara dhe për familjet që u nevojiten më së shumti këto shërbime.

Përmes projektit të dytë të përmirësimit të shërbimeve sociale, Ministria e Politikës Sociale, Demografsë dhe të Rinjve vazhdon t’i mbështesë komunitetet lokale në zhvillimin e shërbimeve sociale që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve dhe kontribuojnë në krijimin e sistemit më gjithëpërfshirës, më të qasshëm dhe të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër