MINTI organizon sesion informues për bizneset për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtis (MINT) ka organizuar një sesion informues për bizneset lidhur me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë që sjell marrëveshja për rritjen e eksporteve, zgjerimin e tregjeve dhe fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, ndërsa u theksua rëndësia e përgatitjes së bizneseve për zbatimin e saj, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova ka potencial të madh për të përfituar nga zgjerimi i tregtisë me vendet e EFTA-s, veçanërisht në sektorin e shërbimeve.

“Kosova ka një bilanc të konsiderueshëm pozitiv, i cili në vitin 2023 arriti në rreth 2 miliardë e 370 milionë euro. Eksporti i shërbimeve përbën një nga avantazhet kryesore të Republikës sonë në tregtinë ndërkombëtare. Dhe paraqet gjithashtu potencial të rëndësishëm të rritjes më tutje. Në këtë drejtim, vendet e EFTA-s dhe veçanërisht Zvicra, përbëjnë partnerë të rëndësishëm tregtarë për Kosovën në fushën e shërbimeve. Zvicra renditet ndër partnerët kryesorë të Republikës së Kosovës, duke përfaqësuar 20% të eksporteve totale të shërbimeve. Më lejoni të ndaj me ju dhe një të dhënë kaq interesante. Sipas raportit të prezantuar në Forumin Ekonomik të Biznesit në Zvicër, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova renditet e para me rritjen kumulative reale të GDP-së gjatë viteve 2015-2025, me 46% të rritjes. Ajo ndiqet nga Polonia me 41%, si dhe nga Shqipëria me 40%. Këtë të dhëna flasin për një partneritet të fuqishëm ekonomik të Republikës sonë me këto shtete dhe padyshim me zbatimin e kësaj marrëveshje, ky partneritet fuqizohet edhe më tek e reflektohet edhe në marrëdhëniet tona diplomatike“, tha ajo.

Ndërsa, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne Lise Cattin Hennin, e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.

“Dhe ne po shënojmë këtë arritje të rëndësishme në marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe vendeve të EFTA-s. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe katër vendeve të EFTA-s — Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë — do të hyjë në fuqi më 1 tetor, dhe kjo është një arritje shumë e rëndësishme. Por para se të flasim për marrëveshjen, ju tashmë e bëtë, ne do të flasim më shumë për marrëveshjen, do të doja ta nisja me diçka tjetër. Dhe ndoshta edhe para kësaj, thjesht do të doja të methoja se ndihem shumë e privilegjuar që kam të gjithë këta flamuj të bukur pranë meje. Dhe videon tuaj e gjej vërtet inspiruese dhe domethënëse. Siç e shihni, ajo shpreh dinamikën për të cilën po flisnit kur përmendët PBB-në (GDP) më të mirë gjatë 10 viteve të fundit për Kosovën. Kështu që, një logo vërtet e bukur. Marrëveshjet si ajo e Tregtisë së Lirë me EFTA-n krijojnë një kuadër. Dhe kuadri është i rëndësishëm. Por vetëm ai, nuk krijon marrëdhënie ekonomike. Dhe kur vjen puna te Zvicra dhe Kosova, ata njerëz janë me lidhje të jashtëzakonshme. Dhe qindra mijëra njerëz jetojnë mes Zvicrës dhe Kosovës. Familje që janë vendosur në Zvicër dhe kanë riinvestuar atje dhe këtu; kompani menaxhimi i të cilave ndodhet në njërin shtet dhe prodhimi, partnerët e klientët e të cilave ndodhen në shtetin tjetër. Këto kompani janë, shumë thjesht, shtylla kurrizore e marrëdhënieve tona ekonomike“, tha ajo.

Nga perspektiva e Doganës së Kosovës, sipas drejtorit Agron Llugaliu marrëveshja pritet të sjellë lehtësime në procedurat tregtare dhe mundësi të reja për bizneset eksportuese.

“Kjo marrëveshje padyshim që krijon mundësi të reja për zgjerimin e tregtisë, rritjen e eksporteve dhe fuqizimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Doganës, çështja e zbatimit të marrëveshjes, ajo që unë mund të thosha sot para juve, se ne gëzojmë një bashkëpunim të shkëlqyer me Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo pasqyrohet në rezultatet e fituara nga zbatimi i marrëveshjes për lehtësimin e tregtisë. Për shembull, po t’i referohemi të dhënave të tregtisë me Mbretërinë e Bashkuar, të njëjtat shfaqen në rritje të vazhdueshme. Në vitin e kaluar ne kemi pasur import në vlerë prej 26 milionë euro, ndërsa tani vetëm në tetë muajt e kaluar kemi 22.3 milionë euro. Pra, rreth tre fish rritje, më shumë se sa do të mbulojë kjo marrëveshje e tregtisë së lirë. Ngjashëm edhe eksportet nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar kanë shënuar një rritje të trefishtë, duke qenë se ka qenë 1 milion në vitin 2019, tani janë 3 milionë në vitin 2023, apo rreth 33% e eksporteve tona. Përtej aspektit të fitimit nga lehtësimi i tregtisë, kjo marrëveshje na siguron që kemi cilësinë e duhur të produkteve që tregtojmë. Eksportet tona drejt Mbretërisë, përveç rritjes, po ashtu kanë treguar edhe diversifikim, ku prinë produktet e plastikës, mobiljet, produktet nga metalet, pijet, produktet e çelikut dhe energjisë, produktet ushqimore, tekstili dhe produktet minerale. Prandaj, besojmë se sot nga ngjarja se krijimi i një kuadri, siç e përmendi edhe ambasadorja, çka është më e rëndësishmja, do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, më tutje edhe nxjerrjen e potencialit të bizneseve tona me tregjet ndërkombëtare. Kjo rritje e qasjes në këto tregje mundëson edhe mbështetjen e bizneseve tona, gjithashtu një nxitje e veçantë po ashtu për zhvillimin ekonomik, investimet përmes rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe aftësimit të bizneseve tona për t’iu përshtatur kërkesave të tregut. Andaj, konsideroj se sot gjatë kësaj ngjarje ne po vëmë një bazë të fuqishme për mënyrën se si duhet t’i qasemi marrëveshjes së re”, tha ai.

“Nga perspektiva e jonë si doganë, sigurojmë se përfitimet e marrëveshjes mbështeten nga një administratë moderne, procedurat thjeshtohen dhe faktori njerëzor është i njëtrajtshëm me rregullat dhe procedurat sa i përket kualifikimit që ka kjo marrëveshje. Përveç kësaj, ne si doganë, meqë lehtësimi i tregtisë konsiderohet një nga prioritetet tona kryesore, kemi bërë zhvillime në të gjitha fushat që mund të ndikojnë në lehtësimin e tregtisë. Do të doja ta përmend më të fundit që është fillimi i deklarimit pa letër, kjo ka mundësuar që ne të kemi procedurë të përfunduar më parë se sa që kemi pasur, apo për një eksport, duke ndikuar në shkurtimin e kohës në net stacione. Jam i bindur se pasojat për bizneset tona do të jenë të dukshme, i bindur se lehtësimi do të jetë i menaxhueshëm dhe po ashtu ka krijuar mundësi që bizneset që kanë prirje në respektimin e ligjit të operojnë në pikat e eksportit 24 orë. Me vendim të qeverisë kemi mbyllur sivjet edhe procesin e terminaleve private, duke i vendosur nën menaxhim të Doganës shtetërore, kjo ka mundësuar që të diminuojmë barrën e pagesave të paimponueshme në procedurat e lehtësimit. Rishtazi, gjithashtu, në javën e kaluar kemi marrë edhe një njoftim nga Oda Ndërkombëtare e Tregtisë se pas dy viteve që kemi aplikuar në Konventën e Stambollit për pranimin e përkohshëm të mallrave, tani së shpejti do të fillojmë me procedurën së bashku me Odën Ekonomike për lëshimin e mallrave në import dhe eksport duke përdorur karnetin ATA. Kjo mundëson që mallrat që kanë për qëllim përdorimin e përkohshëm, qoftë për bizneset, qoftë për komunitetin e kulturës, do të lëvizin lehtësisht me një dokument të vetëm pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave të tilla me garanci“, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër