Miratohet plani kombëtar për eliminimin e hepatiteve virale, parandalim dhe diagnostikim i hershëm

Nga D V
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 korrik, Zhurnal.mk – Në Ditën Botërore të Hepatiteve, Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bën me dije se plani synon të forcojë masat parandaluese, të zgjerojë testimin dhe diagnostikimin e hershëm, si dhe të përmirësojë aksesin e pacientëve në trajtim, me objektiv uljen e infeksioneve të reja, rritjen e diagnozave në kohë dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Mjekët infeksionistë dhe specialistët e shëndetit publik e cilësojnë hepatitin viral si një nga sfidat më të rëndësishme për shëndetin publik, pasi në shumicën e rasteve sëmundja zhvillohet pa simptoma dhe zbulohet vetëm kur ka shkaktuar dëmtime të avancuara në mëlçi.

Mjeku infeksionist në QSUT, Prof. Dr. Arjan Harxhi, tha se hepatiti viral mbetet një problem madhor si në nivel global, ashtu edhe në Shqipëri.

“Hepatiti viral konsiderohet një vrasës i heshtur, pasi në shumicën e rasteve pacientët nuk kanë simptoma dhe sëmundja diagnostikohet vonë”, u shpreh Harxhi.

Shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, Prof. Asoc. Najada Çomo, sqaroi se hepatiti, i njohur edhe si verdhëza, shkaktohet nga viruset A, B, C, D dhe E, por ndikimin më të madh në shëndetin publik e kanë hepatitet B dhe C.

Sipas saj, grupet më të rrezikuara janë foshnjat që nuk vaksinohen, personat që ekspozohen ndaj gjakut dhe nënprodukteve të tij, individët me partnerë të shumtë seksualë, përdoruesit e drogave intravenoze, si dhe personat me sëmundje kronike.

Mjeku Gazmend Bejtja theksoi se Shqipëria i është përgjigjur thirrjes së OBSH-së për eliminimin e hepatiteve virale si problem i shëndetit publik.

“Hepatiti B mund të parandalohet dhe hepatiti C mund të kurohet. Këtë e ka vërtetuar shkenca dhe përvoja e vendeve të tjera. Shqipëria tashmë ka nisur të ecë në këtë drejtim”, tha Bejtja.

Epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Dr. Silva Bino, vlerësoi se vendi ka bërë përparim të rëndësishëm, veçanërisht në kontrollin e hepatitit B te fëmijët.

Bino theksoi se eliminimi i hepatitit B në këtë grupmoshë është arritur falë programit kombëtar të vaksinimit, i cili nis brenda 24 orëve të para të jetës dhe vijon gjatë vitit të parë.

Ndërkohë, mjekja e shërbimit të Gastrohepatologjisë në QSUT, Prof. Asoc. Adriana Babameto, u bën thirrje qytetarëve të testohen dhe të mos neglizhojnë kontrollin e shëndetit të mëlçisë.

“Le të thyejmë barrierat. Njerëzit duhet të testohen duhet të njohin gjendjen e tyre shëndetësore, duhet të mbrojnë mëlçinë e tyre, të sigurojnë një të ardhme të shëndetshme, “, tha Babameto.

Dr. Babameto apeloi që qytetarët, grupet në rrezik dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor të informohen, të vaksinohen, të mbrojnë veten dhe të veprojnë në kohë, pasi diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi janë çelësi për eliminimin e hepatiteve virale deri në vitin 2030.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër