Shkup, 25 prill Zhurnal.mk – Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesë serioze të terapisë moderne për trajtimin e fëmijëve me sëmundje respiratore, kanë paralajmëruar ekspertët gjatë punimeve të Kongresit të katërt të pediatrisë.
Sipas specialistëve, mungesa e inhalatorëve dhe preparateve bashkëkohore për fëmijët nën moshën 6-vjeçare po detyron shumë prindër të kërkojnë trajtim dhe barna në vendet fqinje.
Pediatrja Tatjana Jaqovska theksoi se në vend mungojnë barnat e përshtatshme për moshat më të vogla dhe pajisjet e nevojshme për trajtim modern të sëmundjeve respiratore.
“Kemi barna për moshat më të mëdha, por për fëmijët e vegjël mungojnë preparatet dhe aparatet e inhalimit. Kemi ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim”, deklaroi ajo.
Edhe pediatrja Mirjana Popovska nga Spitali i Fëmijëve “Kozle” theksoi se një pjesë e barnave moderne për trajtimin e sëmundjeve respiratore nuk janë të disponueshme në Maqedoni.
“Pacientët shpesh detyrohen të shkojnë në vendet fqinje për t’u furnizuar me terapi bashkëkohore. Ekzistojnë zëvendësues, por ato janë gjenerata më të vjetra të barnave”, tha Popovska.
Ekspertët vlerësojnë se mungesa e terapive moderne për fëmijët mbetet një sfidë serioze për sistemin shëndetësor dhe kërkon ndërhyrje urgjente për përmirësimin e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore.
