Shkup, 25 prill Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka deklaruar se është arritur marrëveshje që me sistematizimin e ri në Ministrinë e Punëve të Brendshme të rritet niveli i përfaqësimit të shqiptarëve.
Në një deklaratë për Alsat, Sali theksoi se përfaqësimi që në të kaluarën ka qenë rreth 10 për qind, pritet të rritet ndjeshëm me zbatimin e sistematizimit të ri, i cili sipas tij duhet të fillojë më 1 korrik.
“Është arritur një marrëveshje që është në favor të shqiptarëve brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përfaqësimi që ka qenë rreth 10% tani do të jetë dukshëm më i lartë dhe më i konsiderueshëm”, deklaroi Sali për Alsat.
Ai shtoi se në kuadër të MPB-së ka funksionuar një grup pune dhe se janë bërë ndërhyrje edhe në organizimin e disa njësive policore, përfshirë ruajtjen e statusit të Stacionit Policor në Dibër dhe avancimin e njësisë në Saraj në nivel stacioni policor.
Sipas tij, do të krijohet edhe një pozitë shtesë e zëvendësdrejtorit të Byrosë për Siguri Publike, e cila nuk do të jetë e emëruar drejtpërdrejt nga ministri.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski ka theksuar më herët se pozitat në MPB nuk janë të rezervuara për përkatësi etnike, por për profesionistë që i plotësojnë kushtet.
Sipas autoriteteve, sistematizimi i ri përfshin shkurtime të rreth 38% të pozitave drejtuese dhe riorganizim të strukturës së brendshme të ministrisë, pa shuarje të njësive ekzistuese policore.
