Mjekët: Vaksinimi, mënyra më e sigurt dhe efektive për të mbrojtur veten

Nga D. V.
428 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 prill, Zhurnal.mk – Në përfundim të Javës Botërore të Imunizimit, profesionistët e shëndetit në vend, apelojnë për vaksinim të çdo grupmoshe të shoqërisë, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot mesazhet e mjekeve Silva Bino dhe Najada Çomo në kuadër të Javës Botërore të Imunizimit, duke rikujtuar se vaksinimi mbetet një nga mënyrat më të sigurta dhe efektive për të forcuar imunitetin dhe për të mbrojtur veten dhe të tjerët në çdo etapë të jetës.

Drejtuesja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se vaksinat në Shqipëri janë të sigurta dhe i nënshtrohen një procesi vlerësimi të sigurisë dhe efikasitetit të tyre.

“Ky është një proces tepër i rëndësishëm, i cili fillon me përzgjedhjen e llojit të vaksinës që futet në kalendarin e vaksinimit dhe më pas vijon me vlerësimin e të dhënave për efikasitetin dhe sigurinë e saj. Efikasiteti i një vaksine varet nga lloji i virusit dhe mund të ndryshojë. Disa vaksina mbrojnë plotësisht ndaj sëmundjes”, tha Bino, ndërsa shtoi se një kriter tjetër është pranueshmëria e vaksinave nga prindërit, informimi i tyre, si dhe pranueshmëria nga shoqatat e profesionistëve në Shqipëri dhe në mbarë botën.

“Është shumë e rëndësishme që një vaksinë të jetë e sigurt dhe efikase, por edhe të njihet rëndësia si nga mjekët, dhe nga prindërit”, tha Bino.

Ndërsa, Najada Çomo, shefe e Spitalit Infektiv në Tiranë nënvizoi se “sëmundjet infektive, pjesa më e madhe e tyre, mund të parandalohen”.

“Parandalimi më i madh, përveç masave mbrojtëse, është procesi i vaksinimit. Jo të gjitha sëmundjet infektive kanë mundësi vaksinimi, por në këtë javë të vaksinimit kujtojmë se sëmundje si fruthi, meningjiti, variçela, gripi dhe shumë të tjera mund të parandalohen përmes vaksinimit”, tha ajo.

Çomo përsëriti apelin për qytetarët që të bëjnë vaksinimin që fillon që në lindje dhe vazhdon gjatë gjithë jetës.

“Për ato sëmundje që janë të parandalueshme dhe nuk paraqesin rreziqe për nënën apo fëmijën, nxitoni për t’u vaksinuar”, përfundoi Çomo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër