Mocioni me debat për raportin e DASH dhe projekt-rezoluta e integrimit në BE/ PD kërkon Ramën në Kuvend: Duhet të jetë këtu, bëri fushatë me pasaportën europiane

Nga D. V.
452 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 maj Zhurnal.mk – Opozita ka kërkuar sot pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në seancën kur po diskutohet raporti i DASH për klimën e investimeve në vend si dhe një projektrezolutë për anëtarësimin e Shqipërisë në  BE.

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se të gjithë paraardhësit e Ramës, nga Meta te Nano e Berisha kanë qenë të pranishëm në Kuvend sa herë diskutohej për integrimin.

Ndërsa deputetja Jorida Tabaku u shpreh se në seancë duhet të jetë e pranishme edhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka si hartuese e raportit të integrimit që i është paraqitur Kuvendit.

Tabaku: Në këtë sallë, bashkë me kolegë të tjerë, kemi vite që lexojmë raporte. Kush e ka lexuar raportin, janë 50 faqe vetëm me një listë ligjesh dhe VKM-sh. Nuk është ky procesi i integrimit. Procesi i integrimit është reforma në drejtësi, SPAK. Për këtë kemi nevojë të bëjmë një debat. Ju e keni parë vullnetin politik të PD-së. Opozita kaq ka, vullnetin politik. Nuk zëvendëson dot as punën e qeverisë, as llogaridhënien e opozitës. Opozita vetëm mund të shprehë një vullnet politik. Të thërrasim kryenegociatoren, të dëgjojmë kryeministrin dhe ata që e kanë përgjegjësi për të raportuar. Nëse integrimi është prioritet, atëherë kjo duhet të reflektohet këtu në parlament dhe fatkeqësisht nuk po ndodh. Mos ta kemi këtë seancë sa për të kaluar radhën.

Topalli: Nëse do shikoni arkivën e Parlamentit të Shqipërisë në 25 vite, kryeministrat e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë aty, në karrigen e kryeministrit, për t’iu nënshtruar pyetjeve, interpelancave, mocioneve dhe çdo kërkese për të matur standardin e demokracisë përmes kolonës së kontrollit. Kryeministri nuk është një influencer. Qenia në pushtet nuk matet me sa gjatë ai flet në TV, por sa pranon parlamentarizmin dhe kontrollin që pakica ka mbi shumicën. Ne kërkojmë një përgjigje nga ju: pse nuk vjen kryeministri në seancë plenare kur ka interpelanca dhe mocione?

Xhixho: Nuk mund të zhvillojmë një seancë për integrimin në BE sa për procedurë. Nuk mund të diskutohet për këtë proces dhe kryeministri të mos jetë prezent dhe ne ta pranojmë këtë fakt. Nuk mund të diskutohet për një proces kaq të rëndësishëm dhe kryenegociatorja të mos jetë prezente. Ne kërkojmë llogari dhe nuk marrim përgjigje.

Bardhi: Duhet të ishte kryeministri në seancë që të informonte Kuvendin. Aq më tepër, që kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat me BE. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive që ka përpara Kuvendit të Shqipërisë. Nuk mund të ndodhë që të diskutojmë për një proces që e kemi quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar dhe nuk kemi kryeministrin prezent. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në Kuvend vetëm 2 herë për të votuar. Është kryeministër karton. Vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në Kuvend.

Noka: Rendi i ditës, pika 3 është mocioni me debat. Është zhvilluar një fushatë sot, një vit vetëm me një dokument, pasaporta europiane. Shqiptarët duan të dinë ku është ajo pasaportë, duan t’u raportohet për ecurinë në këtë proces. Ju jeni e vetmja qeveri, mazhorancë që nuk raportoni. Për çfarë po flasim? Për procesin më jetësor me të cilin po ecën ky vend. Shqiptarët duan të dinë, kemi ecur përpara apo kemi bërë hapa mbrapa? Pse nuk raportoni çfarë problemi ka ky vend me krimin e organizuar, me bllokimin e drejtësisë, korrupsionin, me demokracinë që e keni asgjësuar. Ju jeni mësuar me teorinë e strucit, fusni kokën nën rërë, por harroni që të pasmet i keni zbuluar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër