Model i ri për zgjerim apo anëtarësim i pjesshëm? – Trosanovski thekson se të gjitha vendet e BE-së duhet të thonë “po”

Nga Xh M
417 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shkurt – Ideja e “integrimit gradual” ka rihapur dilemën – a bëhet fjalë për një hap real drejt Bashkimit Evropian apo për një fazë tjetër pritjeje pa garanci për anëtarësim të plotë. Në emisionin “Direktno” në Telma, për këtë temë debatuan Nikolla Dimitrov nga “Solucija” dhe Marko Trosanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Trosanovski paralajmëroi se tema e integrimit evropian vazhdon të trajtohet me kujdes, për shkak të zhgënjimeve të akumuluara në opinionin publik.

“Ecim mbi vezë kur bëhet fjalë për temën e integrimit evropian, gjë e kuptueshme nga frustrimet tona të kaluara, dhe nëse nuk i menaxhojmë pritshmëritë siç duhet, mund t’i shtojmë edhe më shumë dëme kredibilitetit tashmë të lënduar të BE-së në vendin tonë”, deklaroi Troshanovski.

Sipas tij, debati për modalitete më funksionale të zgjerimit nuk është më vetëm akademik apo i organizatave “think-tank”, por po bëhet pjesë e agjendës politike në Bruksel.

“Debati për disa modalitete më funksionale të zgjerimit është shumë më i konkretizuar dhe më i avancuar, duke kaluar nga dimensioni akademik dhe i OJQ-ve në dimension politik, dhe tashmë po diskutohet në korridoret e institucioneve evropiane”, theksoi ai.

Në javët e ardhshme, siç paralajmëroi, Komisioni Evropian, përkatësisht Drejtoria për Zgjerim, pritet të publikojë raportet vjetore dhe politikat publike, ku mund të konkretizohet ndonjë nga zgjidhjet e propozuara.

“Tani kemi një përzierje idesh, por zgjidhjet më logjike janë vendosur në një ‘kapelë’ të përbashkët dhe mbetet të shihet se cila do të jetë zgjidhja konkrete”, tha Troshanovski.

Ai theksoi se çfarëdo zgjidhjeje që të jetë, ajo nuk mund të kalojë pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare.

“Në asnjë rast nuk duhet të mashtrohemi, sepse do të nevojitet pëlqimi i të gjitha vendeve”, nënvizoi ai, duke shtuar se shumëçka do të varet edhe nga mënyra e zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, nëse ato ndodhin. Sipas tij, mënyra e zbatimit duhet të përfshijë garanci të menduara mirë të brendshme, që vendi të mbrohet nga abuzime të mundshme në të ardhmen.

Një nga idetë që po shqyrtohen është kufizimi i mundësisë së vendeve të reja anëtare për të vendosur veto, me qëllim që të zvogëlohet frika e vendeve të vjetra nga bllokadat në politikat kyçe.

“Dobësimi i mundësisë së shteteve për të vendosur veto – pra jo heqja e së drejtës së votës, por kufizimi i vetos – do të thotë se mund të votoni, por vota juaj të mos jetë vendimtare, pra të mos mund të vendosni bllokadë me veto. Ende nuk dihet se si do të përpunohet kjo”, shpjegoi ai.

Sipas Troshanovski, një qasje e tillë mund t’i inkurajojë vendet ekzistuese anëtare që të pranojnë, siç u shpreh ai, “demokracitë e pakonsoliduara”, pa frikën se ato do të ndikojnë në politikën e jashtme të Bashkimit.

Nëse “integrimi gradual” do të jetë një urë e vërtetë drejt Brukselit apo një dhomë e re pritjeje, mbetet për t’u parë, por është e qartë se procesi po hyn në një fazë të re, më konkrete, ku vendimet politike do të jenë vendimtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër