MPB: 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike gjatë festimit të 28 Nëntorit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 nëntor Zhurnal.mk – 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike janë regjistruar gjatë festimit të 28 Nëntorit në Shkup, Tetovë, Ohër dhe Kumanovë. MPB njofton se tre persona janë privuar nga liria, ndërsa janë ngritur dy kallëzime penale dhe janë përpiluar 10 procesverbale për kundërvajtje.

Deri më tani janë ngritur dy kallëzime penale për veprat penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“ dhe „përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i palejuar i armëve ose lëndëve shpërthyese“. Janë përpiluar gjithashtu 10 procesverbale për kundërvajtje të konstatuara, ndërsa tre persona janë privuar nga liria.

“Në rajonin e SPB Shkup janë regjistruar shtatë shkelje të rendit dhe qetësisë publike, në zonat e Bit Pazarit dhe Gjorçe Petrovit. Janë përpiluar shtatë procesverbale për kundërvajtje ndaj katër personave, prej të cilave tri për heqjen, grisjen ose dëmtimin e simboleve shtetërore dhe simboleve të bashkësive etnike, një për zënka, britma ose sjellje të pahijshme dhe të paturpshme, si dhe tri kundërvajtje nga fusha e sigurisë në komunikacion – drejtimi i automjetit pa patentë shoferi, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe lëvizja në drejtimin e kundërt. Është ngritur kallëzim penal ndaj një fëmije për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“, sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Gjatë ndërmarrjes së masave për zbardhjen e ngjarjeve, dy persona janë privuar nga liria”, thonë nga MPB.

Në Tetovë, policia ka evidentuar përdorimin e mjeteve piroteknike nga fëmijët në sheshin e qytetit, si dhe vendosjen e flamurit shqiptar në një automjet policor. Për këto raste po ndërmerren masa për dokumentimin e plotë. Në Kërçovë dhe Strugë janë regjistruar gjithashtu shkelje lidhur me vendosjen e flamujve të Shqipërisë. Në Strugë, flamujt janë vendosur në një shkollë fillore pa u vendosur edhe flamuri i Maqedonisë. Përgjegjësi i shkollës pritet të përballet me procedurë kundërvajtëse.

Në mesin e të ndaluarve është edhe një qytetar nga Kumanova, i cili dyshohet për armëmbajtje dhe tregti të palejuar me armë.

“Në rajonin e SPB Kumanovë është regjistruar një ngjarje gjatë defilimit me automjete nëpër zonën qendrore të qytetit. Zyrtarët policorë kanë vërejtur dy persona, nga të cilët njëri është arratisur, ndërsa tjetri është ndaluar. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur një pistoletë e markës „Cërvena Zastava“ dhe një karikator me pesë fishekë. Personi është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i palejuar i armëve ose lëndëve shpërthyese“, sipas nenit 396 të Kodit Penal”, shtuan nga MPB.

Lidhur me heqjen apo përdhosjen e flamurit maqedonas në Gostivar, kanë reaguar VMRO DPMNE dhe LSDM. VMRO-DPMNE thekson se qëndrimet e tilla të individëve krijojnë vetëm përçarje dhe jo unitet. LSDM nga ana tjetër akuzon pushtetin VMRO-ZNAM për ndarjet brenda shoqërisë. Të dyja partitë kërkojnë nga institucionet zbardhje të rastit dhe identifikim të autorëve.

artikuj të ndërlidhura