Shkup, 29 nëntor Zhurnal.mk – Në një kohë kur dhuna ndaj grave vazhdon të marrë jetë dhe ndryshimet ligjore për mbrojtjen e tyre ende presin miratimin, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë përgjegjësi politike nga përfaqësuesit e institucioneve. Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm”, i ka drejtuar një sërë pyetjesh publike kryetarit të Komisionit parlamentar për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, duke vënë në pikëpyetje përkushtimin e tij ndaj vlerave evropiane dhe barazisë gjinore.
Nga Rrjeti i referohen Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, në të cilin narrativat antigjinore evidentohen si një nga shkaqet e mangësive sistemore në përballjen me dhunën me bazë gjinore. Organizatat e bashkuara në këtë rrjet theksojnë se integrimi evropian nuk mund të mbetet vetëm një përcaktim deklarativ, por duhet të dëshmohet përmes vendimeve dhe veprimeve konkrete politike. “Integrimi evropian nuk është vetëm një angazhim deklarativ. Ai nënkupton avancimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përballjen efikase me dhunën me bazë gjinore. Milloshoski, a i njihni në raport narrativat e atyre që ju lavdëruan publikisht? Përse vazhdoni t’i mbështesni të njëjtat grupe fetare ekstremiste? Milloshoski, si e mbroni integrimin evropian, ndërkohë që në Kuvend u jepni peshë politike aktorëve për të cilët paralajmëron Komisioni Evropian?”, pyesin organizatat e Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Nga Rrjeti bëjnë të ditur se gjatë vitit 2026 janë regjistruar shtatë raste të femicidit, ndërsa ndryshimet ligjore për mbrojtjen nga dhuna, të dorëzuara në gusht të këtij viti, ende presin miratimin.
Organizatat kërkojnë që Milloshoski të deklarohet publikisht lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore dhe të sqarojë se çfarë hapash konkretë do të ndërmarrë për miratimin e tyre. “Cili është qëndrimi juaj lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe çfarë do të ndërmerrni për miratimin e tyre? Vlerat evropiane dëshmohen me vendime politike dhe veprime konkrete. Kërkojmë përgjigje publike dhe përgjegjësi politike!”, thuhet në komunikatën e Rrjetit.
Përmes këtij reagimi, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që mbrojtja e grave nga dhuna dhe avancimi i barazisë gjinore të trajtohen si prioritete institucionale, duke insistuar që angazhimet për integrimin evropian të shoqërohen me veprime konkrete edhe brenda vendit.
