Muçaj: Hekurudha Tiranë-Durrës dhe lidhja me Rinasin, funksionale brenda vitit 2027

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Shqipëria synon të avancojë ndjeshëm rrjetin hekurudhor në vitet e ardhshme, me objektiv që projektet kryesore të transportit hekurudhor të krijojnë lidhje më të mira mes Tiranës, Durrësit, aeroportit dhe korridoreve rajonale deri në vitin 2030.

Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj deklaroi sot se linja Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit synohen të jenë funksionale brenda vitit 2027, ndërsa për segmentet Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë është parashikuar përfundimi deri në vitin 2030.

“2030-a për ne, për pjesën e projekteve siç është Tiranë-Durrës dhe lidhja me aeroportin e Tiranës, patjetër që është një realitet dhe ne shpresojmë që 2027-a të na gjejë me një linjë hekurudhore të rehabilituar. Ndërkohë për segmentet shtesë, pra për 4 km për kthimin e stacionit të trenit në Tiranë, ka një segmentim po themi. Por që Tiranë-Durrës dhe lidhjen me aeroportin, brenda 2027-ës urojmë ta kemi në funksionim, përveç elementeve të paparashikuar që nuk i shohim për momentin. Ndërkohë ka një progres të jashtëzakonshëm në kuptimin e kontraktimit, të gjitha procedurave të brendshme”, tha Muçaj në një intervistë televizive në “Scan”.

Për linjat Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë, zv.ministrja nënvizoi se ekziston një planifikim drejt vitit 2030, ndërsa institucionet janë të angazhuara për të shmangur pengesat në fazën e zbatimit. Sipas saj, në këtë periudhë pritet që projektet të sjellin rezultate konkrete për qytetarët.

Paralelisht me investimet infrastrukturore, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon edhe për përmbushjen e objektivave në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.

Muçaj bëri të ditur se Shqipëria synon mbylljen teknike të pjesës së saj për Kapitullin 14, “Politika e Transportit”, deri në mars 2027, ndërsa për Kapitullin 21, “Rrjetet Transeuropiane”, shprehu pritshmërinë për konsiderata pozitive nga Bashkimi Europian brenda këtij viti.

Projektet hekurudhore dhe përafrimi me standardet europiane të transportit janë pjesë e objektivit për integrimin e Shqipërisë në rrjetet europiane të transportit dhe përmirësimin e lidhjeve kombëtare e rajonale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër