Policia e Tiranës në aksion, arrestohen 8 persona të kërkuar për krime të ndryshme

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të posaçëm për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ku janë arrestuar tetë shtetas të dyshuar ose të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të policisë, personat e arrestuar kërkoheshin për vepra penale që lidhen me krime të rënda kundër personit, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje të narkotikëve, vjedhje, falsifikim dokumentesh dhe prishje të qetësisë publike.

Gjatë operacionit, njërit prej personave të kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve iu gjet dhe sekuestrua një sasi e dyshuar Cannabis Sativa.

Në kuadër të aksionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë dhe Forcës së Posaçme Operacionale, arrestuan:

K. T., 39 vjeç, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

E. B., 31 vjeç, i dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

N. M., i dënuar me katër muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

S. V., 18 vjeç, i kërkuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

K. Xh., i dënuar me tre muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

R. L., 26 vjeç, i dënuar për “Prishjen e qetësisë publike”. Sipas policisë, nga dënimi i tij prej tre muajsh i kanë mbetur për të vuajtur një muaj e tri ditë burgim.

O. N., 30 vjeç, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

K. M., 29 vjeç, i kërkuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë ndalimit, atij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.

Policia njoftoi se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër