Musliu: Duhet të ndalet avazi i kapjes së institucioneve

Nga D. V.
414 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 prill, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në seancën e Kuvendit lidhur me shqyrtimin e pikës së rendit të ditës për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizioni i Kosovës, u shpreh se procesi ka qenë jo i drejtë, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se edhe intervistimi i kandidatëve ka qenë i padrejtë dhe ka pasur shkelje të procedurave.

“Pra, unë i kam ngritur shqetësimet e mia edhe gjatë procesit, që nga dita kur i kemi marrë vendimet për themelimin e komisioneve ad-hoc, e deri sot kur kemi për të votuar personat e përzgjedhur për të marrë pjesë në bordin e RTK-së. Ka pasur pakënaqësi të mëdha dhe ka pasur shkelje të procedurave. 75 kandidatë të intervistuar në përgjithësi ka qenë pak. Kemi punuar deri në 12:00 të natës dhe ju e dini se çfarë efikasiteti mund të ketë kur punohet jashtë orarit. Domethënë, kur them kemi punuar deri në 12:00 të natës, është fjala se kemi punuar prej orës 9:00 deri në 12:00 pa asnjë shkëputje. Thjesht kemi pasur një orar pa u ndalur dhe kemi vazhduar tutje. Janë lodhur kandidatët, e disa janë harruar se çfarë kanë folur, pastaj u është shtuar koha. Janë mbajtur nga 3-4 orë pa asnjë trajtim dinjitoz”, tha Musliu.

Musliu tha se duhet të parandalohet kapja e institucioneve dhe se vendimet që po merren në Kuvend nuk janë të drejta por të imponuara.

“Prandaj, jo rastësisht e kam thënë që vendimet që po merren në këtë Kuvend nuk janë të drejta, janë vendime të imponuara. Dhe nëse ne vazhdojmë në këtë formë ta trajtojmë Kuvendin, ne e shkatërrojmë legjitimitetin e tij, kredibilitetin e deputetit. Prandaj kjo qasje duhet të përfundojë. Jo vetëm se ju jeni në pushtet, por kushdo që tenton ta shkatërrojë dinjitetin e këtij Kuvendi duhet të ndalet, pa dallime partiake. Nuk guxojmë t’i degradojmë institucionet e vendit deri në këtë pikë. Sot ne do të jemi pjesë e votimit si Partia Demokratike e Kosovës, por evidentojmë të gjitha shkeljet dhe pakënaqësitë që janë bërë, në mënyrë që ato të mos përsëriten më tutje. Duhet të ndalet avazi i kapjes së institucioneve. Duhet të ndalet avazi i keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Duhet të ndalet avazi i arrogancës së numrave. Duhet të jemi korrektë, profesionalë dhe mbi të gjitha të përgjegjshëm për besimin që na kanë dhënë qytetarët e vendit”, u shpreh Musliu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër