Tiranë, 24 prill, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot shtyrjen e shqyrtimit të çështjes që lidhet me ankimin e Erion Veliaj kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi pezullimin e afateve të paraburgimit.
Sipas vendimit të trupit gjykues, shkak për shtyrjen e seancës u bë pavlefshmëria e aktit të deklarimit për mosparaqitjen personale të ankuesit në gjykim dhe përfaqësimin e tij nga mbrojtësi.
Gjykata konstatoi se nënshkrimi i Drejtorit të Komanduar në IEVP Durrës ishte vendosur me mjete mekanike (fotokopje), në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.
Ndërsa, avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca reagoi duke sqaruar se, “shtyrja e seancës erdhi për një detaj formal në firmën e Drejtorit të Burgut, një çështje që gjykata, me të drejtë, e konsideroi të rëndësishme për integritetin e procesit të rregullt ligjor”.
“Ky është një standard që ne e mbështesim plotësisht. Por thelbi i çështjes mbetet i pandryshuar dhe thellësisht shqetësues”, theksoi Ndreca.
“Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë përbën një precedent të rrezikshëm, pasi e shndërron pezullimin e afateve të paraburgimit në një formë ndëshkimi kolektiv”, tha më tej Ndreca.
Në këto kushte, u vendos që seanca të shtyhet për në datë 29 prill, në orën 09:30.
