Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Pronari i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal, Bexhet Musliu, ka reaguar ashpër pas pretendimeve publike të gazetarit dhe pronarit të portalit Tetova Sot, Rami Mislimi, se është kërcënuar, ndërsa në kërcënime është përfshirë edhe vajza e tij 2-vjeçare.
Musliu e cilësoi të papranueshme çdo formë kërcënimi ndaj gazetarëve, duke theksuar se përfshirja e një fëmije në një gjuhë të tillë është një akt që nuk mund të arsyetohet.
“Si koleg, si gazetar dhe si prind, shpreh solidaritetin tim të plotë me Rami Mislimin dhe familjen e tij. Mund të mos pajtohemi në shumë çështje profesionale apo politike, por askush nuk ka të drejtë të kërcënojë një gazetar, e aq më pak të përmendë në mënyrë kërcënuese një vajzë 2-vjeçare. Të shash dhe të kërcënosh një fëmijë është akt pervers, maniak dhe i dënueshëm nga çdo njeri normal”, deklaroi Musliu.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të garantojnë sigurinë e gazetarit dhe familjes së tij.
“Liria e medias nuk mbrohet vetëm me deklarata. Ajo mbrohet duke garantuar që gazetarët të mos punojnë nën kërcënime dhe frikë. Presim reagim institucional dhe zbardhje të plotë të këtij rasti”, shtoi Musliu.
Në fund, pronari i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal apeloi që debatet publike të zhvillohen me argumente dhe respekt, duke theksuar se gjuha e urrejtjes, kërcënimet dhe përfshirja e fëmijëve në konfliktet mes të rriturve nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
