Në ceremoninë e Ambasadës së Turqisë, Mexhiti uron paqe dhe stabilitet për popullin turk

Nga R.ZH
1,285 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup, me rastin e 15 Korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.

Përmes një postimi, Mexhiti theksoi se demokracia e dëshmon fuqinë e saj pikërisht në momentet kur përballet me sfida dhe kur qytetarët zgjedhin të mbrojnë lirinë, dinjitetin dhe vullnetin e tyre.

“Demokracia e tregon forcën e saj jo në ditët e qeta, por në çastet kur vihet në provë, kur një komb zgjedh lirinë, dinjitetin dhe vullnetin e qytetarëve të tij”, u shpreh Mexhiti.

Ai vlerësoi se 15 Korriku përfaqëson një datë me rëndësi të veçantë për Turqinë, duke kujtuar se demokracia nuk është një arritje e përhershme, por një vlerë që kërkon angazhim dhe mbrojtje të vazhdueshme.

“Kjo datë na rikujton se demokracia nuk është një monument i ngritur njëherë e përgjithmonë, por një vepër që duhet mbrojtur e ripërtërirë vazhdimisht me guxim, përgjegjësi dhe besim në liri”, theksoi ai.

Në përfundim, Mexhiti i uroi Republikës së Turqisë paqe, stabilitet dhe zhvillim të mëtejshëm, duke nënvizuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mbeten të bazuara në respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta.

“Turqisë, si vend mik dhe partner i rëndësishëm, i uroj paqe, stabilitet dhe zhvillim të mëtejshëm. Miqësia ndërmjet popujve tanë mbetet e ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin dhe vlerat që na afrojnë”, përfundoi Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër