Mustafa: Nuk frikësohem që emri im u përmend në aktgjykimin e Hagës

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se përmendja e emrit të tij në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk i shkakton shqetësim.

Duke folur në Debat Plus, Mustafa tha se për të, më e rëndësishme është vetë aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si të padrejtë.

“Verdikti i keq që u dha për bashkëluftëtarët tanë i bën të parëndësishme kush përmendet, çfarë thuhet dhe çfarë ngrihet mbi atë dokument, mbi atë urdhër aktgjykimi që u lexua më 16 shtator. Krejt rëndësitë tjera humbin, e rëndësishme është që është aktgjykim i padrejtë”, ka thënë Mustafa.

Emri i Mustafës, së bashku me emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit, është përmendur në aktgjykimin e 16 shtatorit, ndonëse ata nuk ishin të pandehur në këtë rast.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara tha se këta persona ishin anëtarë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Mustafa tha se nuk e sheh përmendjen e emrit të tij si diçka që duhet ta shqetësojë.

“Nuk më bën dëm mua që u përdor emri. Unë jam mik me ata që u dënuan. Nuk kam pse të frikësohem”, është shprehur ai.

Duke folur për luftën e UÇK-së, Mustafa tha se ajo kishte zgjatur për një periudhë të shkurtër dhe se, sipas tij, karakteri i saj ishte më shumë politik.

“Ishte moment i shkurtër lufta e UÇK-së. Lufta jonë ka qenë më shumë politike. Që kemi pas armë, që krismat tona të nihen tek miqtë tanë, tek shtetet e qytetëruara, të cilat u përgjigjën dhe na erdhën në ndihmë”, ka deklaruar Mustafa.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër