Berlin, 28 maj, Zhurnal.mk – Gjermania dhe Holanda do të drejtojnë së bashku një qendër të re komanduese të NATO-s në Estoni, me synimin për të forcuar kapacitetet parandaluese të aleancës, përballë kërcënimeve të perceptuara nga Rusia.
Lajmi u bë i ditur sot nga Ministritë e Mbrojtjes të të dy vendeve.
Trupat e NATO-s, të vendosura në këtë qendër taktike, në rajonin Baltik do të komandohen nga formacioni shumëkombësh gjermano-holandez, i njohur si Korpusi i Parë Gjermano-Holandez (1GNC).
Sipas deklaratave zyrtare, ky formacion do të marrë detyrën nga mesi i këtij viti.
Qendra e re do të ketë përgjegjësinë për drejtimin e manovrave ushtarake të NATO-s, si edhe për mbrojtjen e krahut lindor të aleancës në rast sulmi, rol që deri më tani ushtrohej nga komanda e NATO-s në Poloni.
Ministria gjermane e Mbrojtjes bëri të ditur se 32 shtetet anëtare të NATO-s, ranë dakord për krijimin e kësaj qendre të re komanduese, në rajonin Baltik gjatë samitit vjetor të vitit të kaluar.
Estonia, Letonia dhe Lituania — tre vendet baltike që mbështesin fuqishëm Ukrainën brenda NATO-s — janë përballur muajt e fundit me një rritje të incidenteve të sigurisë, përfshirë hyrje të dronëve në hapësirën e tyre ajrore, në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Për shkak të afërsisë gjeografike me Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë, këto vende konsiderohen ndër më të rrezikuarat, në rast të një përshkallëzimi të tensioneve mes Moskës dhe NATO-s.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se integrimi i Korpusit Gjermano-Holandez në planet mbrojtëse të NATO-s, tregon se të dy vendet po marrin përgjegjësi shtesë për sigurinë e Evropës.
Ndërkohë, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Dilan Yesilgöz, e cilësoi bashkëpunimin si një kontribut të rëndësishëm për forcimin e krahut lindor të NATO-s dhe për frenimin e Rusisë.
Korpusi Gjermano-Holandez u krijua në vitin 1995 dhe ka selinë në qytetin Mynster të Gjermanisë perëndimore.
Komanda kryhet me rotacion midis dy vendeve. Përveç Holandës dhe Gjermanisë, 14 aleatë të tjerë të NATO-s aktualisht kontribuojnë me personel.
Shtabi është i aftë të drejtojë një forcë ndërkombëtare prej rreth 50 000 ushtarësh dhe ka udhëhequr më parë disa misione ndërkombëtare.
