Ndërtimet pa leje/ Qeveria miraton ndryshimet në ligj, një pjesë e objekteve të konfiskuara do të përdoren për strehim social

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 shtator Zhurnal.mk – Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për ndryshime dhe shtesa në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.

Ndryshimet synojnë që këto objekte të përdoren për interes publik, strehim social dhe për zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara.

Projektligji është propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Ekonomisë e Inovacionit dhe do t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Vendimi, i cili mban firmën e kryeministrit Edi Rama është marrë në mbështetje të neneve 81 dhe 100 të Kushtetutës dhe hyn në fuqi menjëherë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

Vendim për propozimin e projektligjit “për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.66/2023, “për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri Edi Rama

artikuj të ndërlidhura