Në Tiranë arrestohet Besim Sherifi nga Kopanica e Sarajit, i akuzuar për vrasje të trefishtë në Maqedoni

Nga B.M
1,009 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 janar – Një 52-vjeçar nga Kopanica e Sarajit, i kërkuar për tri vrasje që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut, është lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë nga policia shqiptare, pasi përdorte dokumente të falsifikuara të një shtetasi nga Kosova, përcjell TV21. Arrestimi u bë në kuadër të operacionit “Operacionalja” dhe pas verifikimeve ai do të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve materiali i është referuar Prokurorisë së Tiranës.

“I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, lokalizohet dhe kapet në Tiranë, 52-vjeçari. 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova. Lokalizimi i tij, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. 52-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm). Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara gjatë një kohe të gjatë hetimi dhe gjurmimi, për lokalizimin dhe kapjen e një të kërkuari për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, është zhvilluar dhe finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”. Në kuadër të kësaj faze, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, kapën dhe shoqëruan shtetasin e dyshuar për tri vrasje. Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit B. Sh, 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm. Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova. Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Policia Shqiptare.

Nga lista e kërkimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni, shihet se bëhet fjalë për Besim Sherifin nga Kopanica.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër