Nëse ka para për subvencione, investime dhe fitime – duhet të ketë edhe para për një pagë dinjitoze

Nga Xh M
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 gusht Zhurnal.mk – Maqedonia vazhdon të ketë pagën minimale më të ulët në rajon, me rreth 424 euro në muaj. Ndërsa vendet fqinje rrisin pagën minimale, sindikata paralajmëron se pagat e ulëta po përshpejtojnë largimin e punëtorëve. Ivan Peshevski nga LSM-ja konsideron se paga nuk duhet të shihet vetëm si shpenzim, por si investim te punëtori dhe ekonomia. Sipas tij, nevojitet vullnet politik që punëtori maqedonas të marrë një pagë dinjitoze.

Punëtori maqedonas edhe në vitin 2026 mbetet në fund kur bëhet fjalë për pagën minimale në rajon. Nga marsi, paga minimale neto në vend është 26.046 denarë, përkatësisht rreth 423-424 euro. Rritja prej 1.667 denarësh erdhi si rezultat i harmonizimit ligjor, por jo edhe nga një rritje shtesë e dakorduar mes partnerëve socialë. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) paralajmërojnë se vetëm ushqimet dhe pijet nga shporta minimale sindikale në prill arritën në 26.085 denarë – më shumë se e gjithë paga minimale.

Por, situata në vendet fqinje është dukshëm ndryshe. Në Slloveni, paga minimale për vitin 2026 është 1.481,88 euro bruto, që sipas qeverisë sllovene është rreth 1.000 euro neto. Në Kroaci, paga minimale është rreth 900 euro, ndërsa Mali i Zi ka dy nivele – 600 euro neto për punëtorët deri në nivelin e pestë të kualifikimit dhe 800 euro për nivelin e gjashtë dhe më të lartë.

Në Serbi, paga minimale në vitin 2026 është rreth 551 euro, ndërsa nga janari i vitit 2027 pritet të arrijë në 600 euro. Në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës paga minimale neto është rreth 525 euro, ndërsa në Republikën Srpska shuma varet nga niveli i arsimit. Në Shqipëri, paga minimale është 50.000 lekë, përkatësisht rreth 524 euro.

Kështu, kur krahasohen pagat minimale në rajon, Maqedonia me rreth 424 euro mbetet e fundit ndër vendet me të cilat më së shpeshti krahasohet. Pikërisht kjo diferencë ngre dilemën – pse punëtori maqedonas është më i lirë në rajon?

Për nënkryetarin e LSM-së për sektorin privat, Ivan Peshevski, arsyeja nuk qëndron te aftësia apo produktiviteti i punëtorëve maqedonas, por te qëndrimi i shtetit ndaj punës dhe pagave.

– Serbia nuk po na largohet sepse punëtorët atje janë më të aftë. Po na largohet sepse atje paga minimale është bërë objektiv ekonomik dhe politik, ndërsa tek ne ende trajtohet si shpenzim që duhet të kontrollohet sa më shumë – thotë Peshevski për gazetën „Veçer“.

Sipas tij, pikërisht këtu duhet kërkuar dallimi thelbësor mes modelit maqedonas dhe atij serb. Ndërsa Beogradi e përdor pagën minimale edhe si instrument për rritjen e standardit të jetesës dhe mbajtjen e fuqisë punëtore, në Maqedoni rritja e pagave, sipas sindikalistit, ende shihet kryesisht përmes prizmit të shpenzimit për punëdhënësit.

Peshevski konsideron se Maqedonia nuk duhet të lejojë që paga minimale të jetë avantazh konkurrues i ekonomisë.

– Kur Serbia e rrit pagën minimale në 600 euro, Maqedonia nuk guxon të jetë përsëri e fundit në rajon. Punëtori në Maqedoni nuk është njeri më i lirë dhe varfëria e tij nuk duhet të jetë avantazh konkurrues i ekonomisë. Nëse ka para për subvencione, investime dhe fitime – duhet të ketë edhe para për një pagë dinjitoze – thotë Peshevski.

Sipas tij, kërkesa për 600 euro nuk duhet të shihet si qëllim përfundimtar, por si pikënisje.

– Ne nuk luftojmë vetëm për një pagë minimale prej 600 eurosh. Vazhdimisht kujtojmë se paga minimale është bazë për përllogaritje, ndërsa të gjitha pagat e tjera duhet të rriten më pas në përputhje me marrëveshjet kolektive ose kontratat e punës – thekson ai.

Problemi bëhet edhe më serioz kur paga minimale krahasohet me shpenzimet reale të jetesës. Sipas të dhënave të fundit të LSM-së, shporta minimale sindikale në prill 2026 arriti në 68.797 denarë, ndërsa me shpenzimin për qira të një banese prej 60 metrash katrorë rritet në 84.172 denarë. Kjo do të thotë se për të mbuluar shpenzimet bazë të një familjeje prej katër anëtarësh nevojiten më shumë se dy paga e gjysmë minimale.

Pra, matematika është e pamëshirshme: një pagë minimale prej 26.046 denarësh dhe një shportë prej gati 69 mijë denarësh do të thotë se një punëtor me pagë minimale nuk mund të mbulojë i vetëm as shpenzimet bazë mujore të një familjeje mesatare. Dhe pikërisht kjo, sipas Peshevskit, është një nga faktorët kryesorë të emigrimit.

– Punëtorët që janë larguar janë një barrë shtesë për ekonominë, sepse Maqedonia nuk mund të konkurrojë me rajonin me punëtorë të lirë dhe paga të ulëta – thotë ai.

Problemi nuk është vetëm me punëtorët që tashmë janë larguar. Edhe më i madh është rreziku që ata që sot hyjnë në tregun e punës të mos shohin perspektivë për të qëndruar.

– Nëse duam ekonomi të fortë – duhet të kemi punëtor me pagë të mirë. Nëse duam që të rinjtë të qëndrojnë – duhet t’u japim arsye për të qëndruar. Nëse duam jetë dinjitoze – duhet të sigurojmë pagë dinjitoze – porosit Peshevski.

Ndërkohë, diferenca me Serbinë bëhet veçanërisht interesante. Nga janari i vitit 2027, atje paga minimale pritet të arrijë në 600 euro. Maqedonia, nga ana tjetër, pas harmonizimit të marsit, mbetet në rreth 424 euro.

– 600 euro në Serbi nuk duhet të jetë arsye për zili. Duhet të jetë paralajmërim për Maqedoninë – thotë Peshevski.

Sipas tij, shteti ka edhe interes fiskal nga rritja e pagave, pasi pagat më të larta nënkuptojnë edhe kontribute dhe të hyra më të larta tatimore. Ai pretendon se nëse Qeveria do ta kishte pranuar rritjen e dakorduar të pagave minimale, në buxhet do të ktheheshin mjete të konsiderueshme përmes tatimeve dhe kontributeve. Ai vlerëson se bëhet fjalë për më shumë se 200 mijë punëtorë dhe për të hyra të konsiderueshme potenciale buxhetore përmes kontributeve dhe tatimeve.

– Në fund, kujtoj se nëse këtë vit Qeveria nuk do të na kishte refuzuar për atë që e dakorduam me punëdhënësit, ajo do të merrte nga 5 deri në 18 për qind në bazë të TVSH-së për atë rritje të pagave të punëtorëve, të cilën do ta kthenim përsëri në buxhet – thotë Peshevski.

Peshevski paralajmëron se pa vullnet politik, ndryshimi i gjendjes është i vështirë, ndërsa sindikalistët vështirë se mund t’i tejkalojnë me vota punëdhënësit.

– Për sa kohë kryeministri i sheh punëtorët si shpenzim dhe jo si investim, do të kemi vetëm largim të punëtorëve dhe zhytje në kredi. Punë që nuk do të përfundojë dhe do të kushtojë më shumë – thotë ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër