Nesër zgjidhet shefi i Prokurorisë së Shkupit, Bubevski në garë për mandat të dytë

Nga B.M
573 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 janar – Në seancën e nesërme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, anëtarët e Këshillit duhet të zgjedhin shefin e Prokurorisë Publike të Shkupit, pasi i ka përfunduar mandati drejtuesit aktual të kësaj prokurorie, Gavril Bubevski. Sipas listës së publikuar të kandidatëve, në garë janë pesë prokurorë: drejtuesi aktual Bubevski, Tanja Trajçevska, Anel Fidoski, Dejan Petreski dhe Spasenka Andonova.

Për publikun, më i njohuri është prokurori Bubevski, i cili ka qenë pjesë edhe e Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Prokurori, me përvojë 16 vjet e gjysmë, konsiderohet si jurist i shkëlqyer dhe, sipas një pjese të madhe të kolegëve, është dëshmuar edhe si menaxher shumë i mirë.

Prokuroria e Shkupit është më e madhja në vend, me numrin më të madh të lëndëve dhe prokurorëve, ndërsa kompetencat e saj u zgjeruan edhe më tej gjatë drejtimit të Bubevskit. Si rezultat i ndryshimeve në Kodin Penal, një pjesë e konsiderueshme e lëndëve për keqpërdorim të mjeteve buxhetore kaluan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Shkupit, duke rritur ndjeshëm edhe vëllimin e punës. Gjatë mandatit të tij filloi punën edhe Qendra Hetimore e kësaj prokurorie, me 13 hetues, si dhe u hap Departamenti për Krim të Rëndë dhe Kompleks.

Prokuroria e Shkupit mund të mburret edhe me transparencë të lartë, pasi në periudhën 2022–2025 konsiderohet si prokuroria më transparente në shtet.

Prokurorja Tanja Trajçevska ka përvojë 12 vjet e gjysmë. Ajo e ka udhëhequr lëndën për vrasjen e hendbollistit Denis Tot dhe po ashtu drejton hetimin për vdekjen e Ljupço Leshko.

Anel Fidoski, me 11 vjet përvojë, si prokuror në Prokurorinë e Shkupit është i njohur për disa raste që kanë qenë në fokus të opinionit publik, ndër të cilat edhe ndjekja penale e të akuzuarve për vrasjen e Nikolla Sazdovskit, anëtar i grupit “Komiti”. Ai e trashëgoi gjithashtu lëndën shumëvjeçare gjyqësore “Pjesë tankesh”, në të cilën një nga të akuzuarit ishte edhe ish-kryeministri Vlado Buçkovski. Pas një gjykimi maratonik, në një nga seancat, prokurori Fidoski ndryshoi qëndrimin dhe e rikualifikoi veprën penale në fund të procesit, çka çoi në parashkrimin e rastit. Ky veprim u arsyetua nga prokurori me faktin se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte paraqitur dëm material të konsiderueshëm. Prokurori Fidoski e ka përfaqësuar edhe rastin e vajzës së vogël Tamara, i cili gjithashtu u parashkrua pas rikualifikimit të veprës penale në fjalën përfundimtare. Aktualisht, tek ky prokuror është në punë edhe lënda për “Usje”, pas kallëzimit penal të paraqitur nga ish-kryetarja e Komunës së Shkupit, Danela Arsovska.

Prokurori Dejan Petreski, ndër kandidatët e paraqitur, ka përvojën më të vogël – 6 vjet. Ai është prokuror i angazhuar në lëndë që lidhen me sulme ndaj gazetarëve dhe ka udhëhequr edhe lëndën për depërtimin në M-NAV. Megjithatë, ai njihet më së shumti për lëndën e zjarrit në spitalin modular në Tetovë.

Me përvojën më të madhe, prej 20 vjetësh, është prokurorja Spasenka Andonova. Ajo ka qenë pjesë edhe e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe ka udhëhequr lëndën “Dvojnik”, që lidhej me lëshimin e paligjshëm të pasaportave për kriminelë të huaj. Ajo së fundmi kishte konkurruar për prokurore publike më të lartë, por nuk u zgjodh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër