Nga 21 vatra zjarri të raportuara në 24 orët e fundit në Shqipëri

Nga Xh M
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 gusht Zhurnal.mk – Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 7 të tjera mbahen nën mbikëqyrje, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 155 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator të rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Malin e Dajtit, operacioni vijon me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Gjatë ditës së djeshme në terren u angazhuan gjithashtu 25 efektivë të MZSH-së dhe 5 efektivë të ADZM-së, së bashku me kapacitetet ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafën e Helmesit, Bulqizë, zjarri është riaktivizuar në dy vatra në një pyll me pisha të dendura. Në operacion janë angazhuar 11 efektivë të MZSH-së, me synim vënien nën kontroll të situatës.

Në Shtuf të Mirditës, vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.

Ndërkohë, në Shtanë–Tenë, Mirditë, situata paraqitet e stabilizuar. Operacioni vijon me 6 efektivë të MZSH-së, 6 punonjës të shërbimit pyjor dhe 15 forca bashkiake. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Prozhem, Pukë, vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar strukturat vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Ndërkohë, situata në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është izoluar ose shuar dhe vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Në Malin e Çikës, mbi Palasë, zjarri vijon në një terren të thepisur dhe të vështirë për t’u aksesuar. Operacioni për shuarjen përfundimtare mbështetet nga dy avionë Air Tractor.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se, pavarësisht terrenit të vështirë dhe ndikimit të erës në disa zona, situata në disa prej vatrave kryesore është përmirësuar. Operacionet vijojnë me fokus izolimin e vatrave aktive, parandalimin e riaktivizimeve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër