Nga antidronët te digjitalizimi, Qose bën bilancin e reformave në Burgje

Nga D. V.
371 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 prill – Zhurnal.mk – Ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, në një reagim në rrjetet sociale, ndau sot një mesazh falënderimi, ndërsa bëri edhe një bilanc të punës së tij në krye të sistemit penitenciar.

Qose shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa falënderoi të gjithë punonjësit e këtij sistemi për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar në përmbushjen e detyrës, pavarësisht vështirësive dhe sfidave.

Ish-Drejtori i Burgjeve nënvizoi se është punuar për të ndërtuar një sistem më transparent, më modern dhe më funksional.

“Hapëm dhe garantuam transparencën e proceseve të gradimit dhe të ecurisë në karrierë për çdo punonjës. Investuam në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, përmes vendosjes së sistemeve antidron në burgjet e sigurisë së lartë, sigurimit të automjeteve të blinduara për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, si dhe shtimit të flotës së ambulancave”, tha ai.

“Ndërmorëm hapa konkretë në përmirësimin e infrastrukturës: rihapëm institucionin e Ali Demit si burg i hapur, ndërtuam burgun e ri në Kukës, restauruam dhe termoizoluam 9 IEVP, si dhe vijohet me restaurimin total të IEVP Fushë-Krujë. Paralelisht, siguruam godinat nga përmbytjet dhe tërmetet dhe mbyllëm objektet e amortizuara të periudhës së komunizmit”, tha Qose.

Qose theksoi se një vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes profesionale të stafit.

“Krijuam qendra trajnimi dhe zhvilluam programe profesionale, hapëm workshope në Reç, Fier dhe Korçë, lidhëm marrëveshje me universitete private për bursa falas për punonjësit dhe ofruam kredi të buta për ta. Në drejtim të modernizimit, rinovuam sallën e monitorimit në DPB dhe realizuam digjitalizimin e sistemeve elektronike, duke përfshirë sistemin e repertorëve dhe të radiove”, pohoi ai.

Qose tha se u garantua sigurimi i shëndetit dhe mbrojtja nga aksidentet në punë për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar dhe SHKBB.

“Si pjesë e përmirësimeve institucionale, përtej marrëveshjeve ekzistuese me komunitetet fetare për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, tashmë përfaqësuesit e komuniteteve fetare janë bërë pjesë e organikës sonë. Gjithashtu, u përfshi në strukturë edhe një psikolog i dedikuar për stafin, duke garantuar mbështetjen psikologjike dhe mirëqenien e punonjësve të çdo institucioni”, pohoi Qose, teksa shtoi se u ngrit një laborator për testimin e shpejtë të çdo personi të paraburgosur apo të dënuar që hyn në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për sëmundjet infektive dhe ato seksualisht të transmetueshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër