Dubai, 5 qershor Zhurnal.mk – Policia e Shqipërisë njoftoi se është finalizuar ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i gjashtë shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë, të ekstraduarit akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale dhe mashtrimit kompjuterik, të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale. Operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe. Policia e Shtetit theksoi se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar.
“Finalizohet ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i 6 shtetasve të kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale. Të ekstraduarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, u finalizua ekstradimi në Shqipëri i shtetasve: – K. Q., alias J. H., alias J. Q., 44 vjeç; – Sh. K., 44 vjeç; – A. P., alias Sh. P., 38 vjeç; – D. P., alias E. S., alias D. B., alias F. P., 39 vjeç; të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Gjithashtu u ekstradua shtetasi: – I. L., alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; si dhe: – M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vendosjen e tyre përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.
