Shkup, 17 shkurt – Në sezonin e verës nga Shkupi do të fluturohet për në Palermo dhe për Algero në Itali. Me fillimin e orarit të verës së fluturimeve, nga fundi i marsit, aeroporti i Shkupit do ta zgjerojë rrjetin e vet të linjave me edhe dy relacione – drejt Budapestit dhe Napolit, ndërsa aeroporti i Ohrit do të ketë linje të re deri në Milano. Në maj “Austrian Erlajns” do të fillojë me fluturime nga Ohri deri në Vjenë, ndërsa në qershor “Vizer” do të vendos edhe dy linja të reja nga Ohri deri në Katovice dhe Vrocllav.
“Edhe dy linja të reja nga aeroporti i Shkupit! Lajme të bukura për të gjithë që dëshirojnë të udhëtojnë, si dhe për të gjithë që dëshirojnë ta vizitojnë Maqedoninë. Nga 15 korriku nga Shkupi do të mund të fluturohet edhe deri në Palermo, ndërsa nga 18 korriku për Algero, Sardini. Me këto dy linja të reja të ‘Vizer”-it pritet edhe më shumë ta rrisin qarkullmin ajror në aeroportin e Shkupit, i cili në vitin 2025 ka pasur vit rekord me mbi 3,2 milionë udhëtarë dhe me linjat e reja bëhet lider në rajon”, publikoi sot në “Fejsbuk” zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Nga “TAV Maqedoni” informojnë se “Vizer”-i, në linjën nga Shkupi deri në Palermo nga 15 korriku do të fluturojë tre herë në javë, çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, me çmime të përballueshme prej 29,99 euro, ndërsa nga 18 korriku do të fillojë linja Shkup-Algero, e cila do të fluturojë dy herë në javë, çdo të martë dhe të shtunë me çmime të përballueshme prej 39,99 euro.
Fluturimet drejt dy destinacioneve të reja janë planifikuar si linja sezonale, respektivisht do të realizohen deri më 11 dhe 12 shtator.
“Me vendosjen e një sërë linjash të reja, ne me krenari konfirmojmë angazhimin tonë për rritje dhe inovacion, duke hapur dyert për partneritete të reja, shkëmbime kulturore dhe qasje më të lehtë në tregjet dinamike evropiane. Dhe nëse menduat se jemi ndalur – jo, sapo kemi filluar!, thotë Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i “TAV Maqedoni”, në deklaratë me shkrim.
Nga “TAV Maqedoni” njoftojnë se linjat e reja nga Shkupi për në Palermo dhe Algero paraqesin lidhje të drejtpërdrejtë me dy destinacione tërheqëse mesdhetare, të njohura për ofertën e tyre turistike, trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë ekonomike.
“Palermo dhe Algero janë vende që pasqyrojnë shpirtin e Italisë. Në Palermo të Siçilisë, vizitorët i pret histori e pasur, pallate mbresëlënëse, katedrale dhe tregje piktoreske, duke ofruar një udhëtim të paharrueshëm përmes kulturës dhe shijeve të Siçilisë. Në Algero të Sardenjës, turistët do të jenë në gjendje të shijojnë qetësinë e rrugëve mesjetare dhe peizazhet e bukura detare”, thuhet në kumtesë.
Nikolloski, në publikimin për linjat e reja të fluturmeve, theksoi se është paralajmëruar rritje e numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve në linjat e rregullta, si dhe një aeroplan i ri në aeroportin e Shkupit të klasit më të fundit të Airbus A321 Neo.
“Duke marrë parasysh se këto janë linja që do të operojnë në sezonin e verës, nuk parashikohen subvencione për to, gjë që është plus cilësor dhe tregues se do të ketë gjithnjë e më shumë interes tregtar në Aeroportin e Shkupit”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Pali Apostull” në Ohër, në muajin e parë të vitit, së bashku shërbyen 289.584 udhëtarë në 2.009 fluturime, për 31 për qind më shumë trafik dhe 10 për qind më shumë fluturime krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2025.
Me orarin aktual dimëror të fluturimeve, në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit gjithsej 15 linja ajrore operojnë fluturime në 50 destinacione, ndërsa në aeroportin “Shën Pali Apostull” në Ohër, tre linja ajrore operojnë fluturime deri në tetë destinacione.
