Nga Madagaskari në jugun shqiptar, dy motra zbulojnë jetën e tyre të re në bregdetin jonian

Nga Xh M
86 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sarandë, 18 prill Zhurnal.mk – Shqipëria po zgjidhet gjithnjë e më shumë nga të huajt jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si vend për të jetuar dhe punuar. Një prej tyre është edhe Isra Todisoa nga Madagaskari, e cila ka vendosur të ndërtojë jetën e saj në jug të vendit. E reja tregon se gjithçka nisi pas një vizite në Shqipëri. E mahnitur nga natyra dhe mikpritja, ajo vendosi të rikthehej, këtë herë për të punuar. Që nga ajo kohë, Isra shprehet se nuk e mendon më largimin nga Shqipëria.

“Gjithçka nisi pas një vizite në Shqipëri. Më pëlqeu shumë vendi, natyra dhe njerëzit, ndaj vendosa të rikthehem për të jetuar dhe punuar këtu. Kam zgjedhur të jetoj dhe punoj në jug të Shqipërisë. Jam e kënaqur shumë dhe nuk mendoj të largohem”, tha Isra Todisoa.

Përvoja e saj pozitive e ka shtyrë të ftojë edhe familjarët për të parë nga afër vendin ku jeton. Prej disa ditësh në Shqipëri ndodhet edhe motra e saj, Dilarah, e cila po eksploron jugun dhe po njihet me jetën që Isra ka ndërtuar këtu.

“Kësaj here kam ftuar edhe motrën time që ta shohë Shqipërinë. Dua t’i tregoj vendin ku jetoj dhe eksperiencën time këtu”, shtoi ajo.

“Jam këtu prej 5 ditësh dhe po më pëlqen shumë Shqipëria, sidomos jugu dhe natyra. Çdo gjë duket perfekte”, u shpreh e motra, Dilarah Todisoa .

E impresionuar nga natyra dhe mundësitë që ofron vendi, edhe Dilarah po e konsideron seriozisht mundësinë për t’u zhvendosur në Shqipëri.

“Po e mendoj seriozisht mundësinë për të jetuar këtu pranë motrës sime, ndoshta punojmë edhe në të njëjtin vend , do të ishte shumë mirë për ne”, tha ajo.

Historia e dy të rejave nga Madagaskari është një tjetër dëshmi se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj, jo vetëm për pushime, por edhe për një jetë të re.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër