Nga masat e sigurimit te prezumimi i pafajësisë, ndryshimet e propozuara për Kodin e Procedurës Penale

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Në praninë e Kryeministrit Edi Rama, drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu dhe ekspertëve evropianë e vendas të çështjeve ligjore, u prezantua sot drafti i ri për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Paketa e re e Kodit Penal me 105 nene është hartuar nga 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Këshillit të Europës, me mbështetjen Ministrisë së Drejtësisë italiane dhe asaj franceze, ndërkohë që sekretariati teknik shqiptar ka bërë vetëm koordinimin e gjithë kësaj pune voluminoze.

Procesi është vëzhguar nga Këshilli i Europës që ka certifikuar çdo hap si dhe dokumentin përfundimtar të projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Paketa përfshin ndryshime të rëndësishme mbi masat e sigurimit, të drejtën e mbrojtjes, kontrollin gjyqësor, mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave, prezumimin e pafajësisë, si dhe të drejtat e viktimave.

Ajo synon që ushtrimi i pushtetit në procesin penal të jetë i bazuar në ligj, proporcional, i kontrollueshëm dhe i shoqëruar me përgjegjësi për çdo shkelje të garancive proceduriale.

Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet kryesore.

Masat e sigurimit

Për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më arrest në burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie.  Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin. Gjykata duhet të arsyetojë pse masat më të buta nuk mjaftojnë.

Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur natyrisht sipas gjendjes reale financiare të personit, me përjashtimet e domosdoshme për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet specifike që janë kompetencë të Gjykatës së Posaçme. Prokurori duhet të raportojë çdo muaj te gjykata nëse arsyet për masën e sigurimit vazhdojnë të ekzistojnë.

Nëna me fëmijë deri në gjashtë vjeç, babai ose kujdestari kur nëna nuk jeton ose nuk është në gjendje të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programe terapeutike nuk mund të trajtohen më sikur rrethanat e tyre njerëzore të mos ekzistojnë.

Barazia mes mbrojtjes dhe akuzës

Avokati duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë.

Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq. Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose e favorizojnë personin. Sepse prokurori i një shteti demokratik nuk ka për mision të gjejë patjetër një fajtor. Ka për mision të zbulojë patjetër të vërtetën.

Garancitë gjatë marrjes në pyetje

Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet në fakt si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret në Prokurori ose në Polici, edhe si person në dijeni, do ta ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra nën një status tjetër nuk mund të përdoren më tej kundër tij.

Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe me figurë. Hiqet nga Kodi justifikimi “kur është e mundur”. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, shteti duhet të jetë në gjendje të tregojë në çdo kohë, saktësisht si e ka marrë deklarimin e tij dhe sa e ka respektuar dinjitetin e tij si qytetar gjatë marrjes në pyetje.

Dhe për herë të parë, shkruhet pa asnjë ekuivok se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo sjellje degraduese ndaj personit janë absolutisht të papërdorshme. Një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta prodhojë atë me dhunë apo me presion verbal mbi njeriun.

Privatësia dhe telefoni

Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është arkivi i jetës së një njeriu, i komunikimeve, fotografive, lëvizjeve, financave dhe marrëdhënieve të tij. Prandaj sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë, një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban. Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës. Vendimi i gjykatës duhet të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Në rastet e urgjencës, të përcaktuara edhe këto ngushtësisht nga ligji, veprimi duhet të vleftësohet nga gjykata brenda 48 orëve. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme, ndërsa çdo material i nxjerrë që s’ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet.

E njëjta logjikë zbatohet për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material i përdorshëm, si instrument presioni apo si produkt konsumi mediatik.

Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.

Fillimi dhe përfundimi i hetimit

Ndryshimi i pestë i jep hetimit një fillim të verifikueshëm, një objekt të qartë dhe një fund. Procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër, ajo duhet të regjistrohet si e tillë, si vepër tjetër. Hetimet e fshehura në kohë, të mbajtura në sirtar për vite dhe të përdorura si një hije mbi kokën e dikujt, nuk mund të jenë kurrsesi një rutinë në një shtet të së drejtës.

Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e “pritshmërisë së arsyeshme për dënim”. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim. Procesi penal nuk mund të përdoret si dënim më vete, kur prova nuk përmban dot asnjë vendim fajësie.

Prezumimi i pafajësisë

Ndryshimi i gjashtë ka një rëndësi të veçantë, sepse e nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit dhe e bën standard sjelljeje për institucionet. Do të ndalohet publikimi i përmbajtjes së përgjimeve jashtë pjesës që citohet në arsyetimin e një vendimi, i të dhënave identifikuese të viktimave pa pëlqimin e tyre, i pamjeve të personave nën masa shtrëngimi fizik dhe i vendimeve për masat e sigurimit përtej kufijve të përcaktuar nga ligji. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin dhe e shkel atë do duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo normë nuk synon të krijojë një polici mendimi ndaj medias. Përgjegjësia nuk bie asnjëherë mbi median, por bie mbi atë që ka detyrimin ligjor ta ruajë sekretin dhe e nxjerr atë nga dosja. Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë. Askush nuk mund të paraqitet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë. Kur kjo shkelet, personi fiton një mjet të shpejtë për korrigjimin e aktit.

Mbrojtje më e fortë për viktimat e dhunës dhe krimeve seksuale

Paketa forcon njëkohësisht mbrojtjen e viktimës. Për dhunën në familje dhe krimet seksuale krijohen masa të reja, si largimi i të pandehurit nga banesa dhe ndalimi i afrimit ose kontaktit, me distancë jo më pak se një mijë metra dhe me mundësi mbikëqyrjeje elektronike. Kur largimi e lë familjen pa mjete jetese, gjykata mund të caktojë një pagesë periodike në favor të saj. Mbrohet identiteti i viktimës dhe forcohen mjetet e saj për të marrë pjesë në proces. Forcohet edhe e drejta për t’u dëgjuar. Vendimet në dhomë këshillimi që prekin lirinë dhe të drejtat nuk mund të merren më përmes një procedure të padukshme. Palët duhet të njoftohen, të paraqesin argumentet e tyre dhe të dëgjohen. Me kërkesën e të pandehurit ose të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër