Zagreb, 2 tetor Zhurnal.mk – Një tjetër alarm i kuq vjen nga Kroacia për një ngarkesë me perime nga Maqedonia e Veriut. Jozyrtarisht, javën e ardhshme autoritetet kompetente do të ulen në një takim për të kërkuar zgjidhje.
Brenda vetëm 10 ditësh, në Sistemin Evropian për Paralajmërim të Shpejtë për Ushqimin kanë mbërritur edhe dy njoftime të tjera nga Kroacia për ngarkesa të kontestuara me speca djegës të eksportuar nga vendi ynë. Në sistemin e Komisionit Evropian, ngarkesa është klasifikuar si produkt me “rrezik serioz”.
Njoftimet e reja kanë vënë nën vëzhgim sigurinë e produkteve vendore që eksportohen jashtë kufijve të tregut maqedonas.
Kroacia edhe më parë kishte reaguar përmes sistemit evropian lidhur me 50 tonë fruta dhe perime nga Maqedonia e Veriut. Edhe atëherë bëhej fjalë për speca, por edhe për ngarkesa me kumbulla.
Televizioni Telma më herët raportoi se ngarkesat me speca dhe rrush për konsum, të kthyera nga Bullgaria dhe Mali i Zi për shkak të pranisë së pesticideve mbi kufijtë e lejuar, kishin përfunduar në tregun vendor, pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte kryer kontrolle në laboratorët e vendit. Rezultatet e analizave kishin dalë negative, pas së cilës ishte marrë vendim që produktet të lejoheshin për qarkullim në tregun vendor ose të dërgoheshin për përpunim.
Telma kërkoi përgjigje nga Agjencia e Ushqimit se përse ngarkesat e kthyera ishin kontrolluar sërish në vend dhe që kur zbatohet kjo praktikë, si dhe përse rezultatet e analizave dallojnë.
Nga Agjencia thonë se pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, niveli i preparateve kimike bie dhe produktet bëhen të sigurta, ndërsa kontrollet në laboratorët vendorë janë praktikuar edhe më herët.
“Te një numër i madh i preparateve, pas kalimit të afateve kohore nga momenti i përdorimit deri në vjelje dhe transport, substancat kimike shpërbëhen, përkatësisht niveli i tyre bie nën përqendrimet maksimale të lejuara, duke bërë që ato të mos jenë të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Në rastet konkrete, pas kthimit, ngarkesat kanë qenë të sigurta, gjë që është vërtetuar përmes analizave laboratorike”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas informacioneve jozyrtare, javën e ardhshme do të takohen përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, me qëllim analizimin e shkaqeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për problemin, pasi gjatë periudhës së fundit janë regjistruar një numër i konsiderueshëm njoftimesh për ngarkesat me fruta dhe perime të eksportuara nga vendi.
