Likovë, 2 tetor Zhurnal.mk – Në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës u organizua sonte një tubim mbështetës në përkrahje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas dënimit të tyre nga Gjykata e Hagës, vendim ky që u cilësua plotësisht i padrejtë nga të pranishmit, përcjell INA.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre të fuqishme e të parezervë për çlirimtarët, duke theksuar se procesi dhe dënimi i tyre bazohen mbi akuza të fabrikuara me prapavijë politike nga Beogradi dhe Moska. Mes tyre ishin kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, veteranë të UÇK-ve, studentë të prirë nga drejtuesi i lëvizjes studentore, Mevlan Ademi, përfaqësues të BDI-së dhe banorë nga këto treva.
Në fjalimet e mbajtura u nënvizua se UÇK-ja përbën një vlerë sublime të kombit shqiptar, e cila lindi nga populli për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjet dhe dinjitetin njerëzor përballë spastrimit etnik dhe regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit. Pjesëmarrësit përcollen mesazhin se qëndrojnë të palëkundur pranë luftëtarëve të lirisë, duke kërkuar që drejtësia të bazohet vetëm mbi fakte e prova reale dhe jo mbi fabrikime politike.
Sllupçani ishte lokaliteti bazë i UÇK-së gjatë vitit 2001, pjesë e së ciles ishin edhe çlirimtarët nga Kosova dhe emra të njohur të luftës. Pikërisht në dalje të këtij vendbanimi u shpall zona e lirë e UÇK-së, nga ku u vendosën edhe postblloqet e para ushtarake.(INA)
