Nikollovski në takim me drejtorin e Eurokontoll: Forcohen kapacitetet e aviacionit vendor

Nga D V
614 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 gusht, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministër i transportit Aleksandar Nikolovski sot realizoi një takim pune me Raul Medina, drejtorin e përgjithshëm të EUROCONTROL. Të pranishëm në takim ishin edhe Dragi Stojanovski, drejtor i Agjencisë për Aviacion Civil dhe Vladimir Risteski, drejtor në M‑NAV.

Në takim u shqyrtua bashkëpunimi i deritanishëm me EUROCONTROL dhe mundësitë për përmirësimin e tij, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve të autoriteteve të aviacionit në Maqedoni.

Zëvendëskryeministri Nikolovski theksoi se shteti në vazhdimësi punon për zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe operative të Agjencisë për Aviacion Civil, si dhe të Navigacionit Maqedonas, duke punuar në një Plan për përmirësim dhe forcim të burimeve njerëzore, me qëllim që sistemi të përgjigjet ndaj nevojave të rritura dhe rritjes së mëtejshme të pritur të trafikut.

Pikërisht në këtë drejtim politikat dhe masat që ndërmerr Qeveria janë të orientuara drejt përmirësimit të operativitetit dhe kapaciteteve të autoriteteve të aviacionit, si dhe drejt krijimit të kushteve për zhvillim të mëtejshëm të qëndrueshëm të aviacionit civil.

Në takim u theksua edhe se Maqedonia shënon zhvillim të fuqishëm të aviacionit si në numrin e operacioneve ashtu edhe në numrin e pasagjerëve, gjë që paraqet një kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e lidhjes së vendit, hyrjen e kompanive të reja ajrore dhe hapjen e mundësive të reja për qytetarët dhe ekonominë.

Zëvendëskryeministri Nikolovski informoi gjithashtu se me sistemin e ri radarik i cili tashmë është instaluar pritet të forcohen më tej kapacitetet teknike për menaxhimin e trafikut ajror.

Në takim u konfirmua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit me EUROCONTROL të orientuar drejt prioriteteve kombëtare të shtetit, i cili deri tani realizohet përmes Programit për mbështetje të shteteve, në drejtim të përmirësimit të sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë së trafikut ajror.

Vizita e drejtorit të EUROCONTROL në Maqedoni është pjesë e takimit të autoriteteve të aviacionit të vendeve të rajonit në organizim të Agjencisë për Aviacion Civil.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër