Prishtinë, 9 korrik Zhurnal.mk – Në nisjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, prokurori special Bekim Kodraliu ka deklaruar se ekspertët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) kanë analizuar mostrat e baltës dhe dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe i kanë krahasuar ato me mostrat e siguruara nga vendi i ngjarjes.
“Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, dhe ato mostra i kanë krahasuar edhe me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe në tri vende të tjera të ndryshme me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurve”, ka deklaruar Kodraliu.
Sipas prokurorit, konkluzionet e ekspertëve tregojnë se mostrat e dheut të gjetura në çizmet e dy të akuzuarve kanë pasur karakteristika të njëjta me dheun e marrë në vendin e ngjarjes.
“Konkluzioni i ekspertëve të FBI-së se mostrat e çizmeve të të pandehurve, për dallim me tri vendet e tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karakteristikat tjera fizike të dheut të marrë në vendin e ngjarjes me dheun e gjetur në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, por ka dallueshmëri me mostrat e dheut të marra në tri lokacione të tjera”, ka thënë Kodraliu.
Sipas tij, këto prova do të paraqiten para gjykatës për të mbështetur pretendimin e Prokurorisë se të akuzuarit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Gjatë fjalës hyrëse, prokurori Kodraliu deklaroi gjithashtu se Prokuroria do të paraqesë prova për pretendimin se Qeveria e Serbisë ka pasur rol kyç në përgatitjen e sulmit.
“Do të paraqesim prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet konkrete që sipas provave janë zhvilluar në poligonin ushtarak, i quajtur ‘Livadhet e pasulit’ në Republikën e Serbisë, që tashmë dyshohet se ka edhe varrezë masive, krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kodraliu.
Ai tha se provat që do të prezantohen gjatë gjykimit, së bashku me provat nga raste të mëhershme, sipas Prokurorisë do të dëshmojnë rolin e pretenduar të Qeverisë së Serbisë në këto përgatitje.
Në këtë proces gjyqësor, tre të akuzuarit – Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq – janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Sipas “Betimi për Drejtësi”, shqyrtimi gjyqësor ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa trupi gjykues përbëhet nga Vesel Ismaili, kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Kujtim Krasniqi dhe Leon Përlaska.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i akuzon të pandehurit për sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës, sulmi kishte shkaktuar dëmtim të infrastrukturës së kanalit, duke ndikuar në furnizimin me ujë të pijshëm dhe në furnizimin me ujë për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që lidhen me rrezikimin e rendit kushtetues, kryerjen e veprës terroriste, armëmbajtjen pa leje dhe, në rastin e Jovan Viqentijeviqit, edhe spiunazhin.
Të akuzuarit vazhdojnë të konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
