Çfarë ndodhi dje në pikën kufitare të Qafë Thanës, kujt i ndalohet hyrja në Shqipëri?

Nga I.A
2,059 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 korrik, Zhurnal.mk –  Mbrëmja u karakterizua me lajmin që mori jehonë gjithandej, vërshuan titujt e lajmeve “tre zyrtarë shqiptarë nuk u lejuan të hynë në Shqipëri”, por si qëndron e vërteta? Nga ajo që është raportuar deri më tani pengesa nuk kanë qenë tre  zyrtarët e apostrofuar por shoqëruesi i tyre. Tani lindin pikëpyetje kush është personi i katërt që nuk po përmendet fare? Pse ky person paraqet rrezik për Shqipërinë? Këto dhe shumë pyetje të tjera ngelin akoma pa përgjigje të qarta. Brenda këtij teksti do të shtjellojmë në mënyrë kronologjike se çfarë ndodhi dje dhe cili është epilogu? shkruan Zhurnal.

Si filloi ngjarja?

Gjithçka nisi me një sërë lajmesh dhe fotografi që qarkullonin në rrjete teksa shiheshin të habitur dy deputetët e VLEN-it, Adnan Azizi dhe Bekim Qoku, si dhe zëvendës sekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani. Pa u ditur detajet këto fotografi interpretoheshin në forma të ndryshme.

Por më vonë u pastrua situata pasi vetë protagonistët e ngjarjes u prononcuan për një media, e deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, reagoi edhe në rrjetin e tij social ku falënderoi mbështetësit për mesazhet dhe kujdesin, duke theksuar se gjatë veprimtarisë së tij politike nuk është zmbrapsur nga asnjë pushtet.

“Ju faleminderit miqve për mesazhet dhe kujdesin. Në gjithë ato vite veprimi politik, nuk na ka trembur e zbrapsur asnjë pushtet e asnjë tiran. Aq më pak këta të Open Ballkanit. Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ajo është po aq e jona sa e çdo shqiptari, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë. Pushtetet janë të përkohshme. Shqipëria është e përhershme. Shqipëria mbetet gjithmonë e shqiptarëve!”, ka shkruar Azizi.

Ndërkaq, deputeti tjetër, Bekim Qoku, njëherit edhe koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it, për TV Koha, tha se si ka mundësi që tre zyrtarë të malltretohen me orë të tëra teksa kanë pasur edhe pasaporta diplomatike.

“Tre zyrtarë të lartë shtetërorë me pasaporta diplomatike u lamë me orë të tëra të presim, kjo është e pakuptimtë pa kurrfarë shpjegimi, edhe policia u vendosën në pozitë të vështirë. Më pas pasi kontaktuan me zyrtarë të lartë të Shqipërisë jo zyrtarisht na informuan se është shfaqur një ndalesë për ne. Më konkretisht njërit prej bashkëudhëtarëve tanë i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri. Tani jemi kthyer në Strugë dhe po presim sqarimin e situatës”, tha mes tjerash deputeti Qoku. 

Si po interpretohet kjo ngjarje nga Shqipëria?

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka dhënë detaje mbi ndalimin e deputetëve nga Maqedonia e Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke deklaruar se masa nuk lidhet drejtpërdrejt me protestat në Shqipëri, por me dyshime të ngritura prej kohësh nga institucionet shqiptare për aktivitet ekstremist.

Sipas Karamuços, personat në fjalë kanë qenë në vëmendje të autoriteteve shqiptare dhe për një prej tyre ekzistojnë dyshime se financohet nga vende që ai i cilësoi “jo mike” me Shqipërinë.

“Ky nuk është rasti i parë. Këta persona janë paralajmëruar herë pas here nga institucionet tona për veprimtarinë e tyre. Për një prej tyre dyshohet se merr financime nga disa vende jo mike me Shqipërinë për të aktivizuar elementë ekstremistë në Maqedoninë e Veriut. Janë elementë që kanë ardhur dhe kanë qenë pjesë e protestave në Shqipëri. Dy herët e fundit disa prej tyre janë shpallur edhe ‘non grata’, madje njëri prej tyre kishte edhe pasaportë amerikane”, tha Karamuço në emisionin “Real Story”.

Ai theksoi se, sipas informacioneve që disponojnë institucionet, aktiviteti i këtyre personave lidhet me rrjete të financuara nga Lindja e Mesme.

“Nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me protestën, por me aktivitetin e vazhdueshëm të disa elementëve ekstremistë fetarë në Maqedoninë e Veriut, të financuar me para të dyshimta nga Lindja e Mesme, të cilat depozitohen në disa shoqata atje. Bëhet fjalë për persona që konsiderohen rrezik real dhe që prej kohësh monitorohen nga institucionet shqiptare”, u shpreh ai.

Epilogu?

Kjo çështje ka mbetur akoma pa epilog të qartë pra informacionet që dihen janë këto të sipërpërmendura, ajo që nuk dihet akoma është identiteti i personit të katër që ka qenë i shoqëruar nga funksionarët e VLEN-it.

Në këtë situatë qartësinë mbi ngjarjen mund dhe do duhet ta japin institucionet e Shqipërisë si të sigurisë edhe ata të pikave kufitare e Punëve të Brendshme. Këtë e ka kërkuar edhe VLEN që ta kuptojmë qëndrimin zyrtar të institucioneve të Shqipërisë.

Megjithatë, kjo situatë është e pakëndshme dhe natyrisht që dëmton reputacionin e protagonistëve të kësaj ngjarjeje pasi të jesh shqiptar dhe të kesh probleme për të hyrë në Shqipëri edhe kur ke pasaportë diplomatike kjo veçse interpretohet sipas mendimeve të lira por kryesisht negative mbi figurat. Deri në daljen e informacioneve të reja dhe të fundit për këtë ngjarje kjo është e gjithë ajo çfarë ka ndodhur mbrëmë e përmbledhur në mënyrë kronologjike. Deputetët janë në Maqedoninë e Veriut dhe identiteti i personit të katër mbetet i panjohur. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër