Tirana është mikpritëse e një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive në Evropë, Kampionatit Evropian të Mundjes për të rritur, që zhvillohet në datat 20–26 prill 2026.
Ky kampionat mbledh në Shqipëri sportistët më të mirë të kontinentit, të cilët do të garojnë në tre disiplinat kryesore: mundje e lirë (freestyle), mundje greko-romake dhe mundje për femra.
Ceremonia zyrtare e hapjes u zhvillua pasditen e djeshme në ambientet e Parku Olimpik “Feti Borova”, duke shënuar nisjen e një jave intensive garash dhe aktivitetesh sportive.
Ceremonia inauguruese ndërthuri elemente sportive dhe artistike, duke krijuar një atmosferë festive për sportistët dhe të pranishmit.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, e cilësoi organizimin e këtij kampionati si një mundësi të rëndësishme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar ndikimin pozitiv që ka një event i këtij niveli në imazhin e vendit.
Garat nisën me stilin klasik (greko-romak), ku sportistët kanë konkurruar në peshat 55, 63, 77, 87 dhe 130 kilogramë. Paraditja i është dedikuar ndeshjeve kualifikuese, 1/8-ave dhe çerekfinaleve, ndërsa pasditja gjysmëfinaleve.
Nga dita e sotme zhvillohen finalet për këto kategori, ndërsa kampionati do të vijojë deri të dielën, duke përfshirë edhe garat për femra dhe stilin e lirë.
Për Shqipërinë kanë garuar Griseld Kodra (130 kg), Kevin Kupi (77 kg) dhe Marjan Kola (87 kg). Kodra u mund në fazën e 1/8-ave nga mundësi azerbajxhanas Kandelaki me rezultatin 11-0, ndërsa Kupi u mposht 4-0 nga hungarezi Fritsh. Edhe Kola u mund me superioritet teknik, 9-0.
Në këtë kampionat marrin pjesë mbi 600 sportistë nga 38 vende të Evropës, ndërsa pritshmëritë për përfaqësuesen shqiptare mbeten për një paraqitje dinjitoze dhe synim për medalje.
Paralelisht me garat sportive, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera të rëndësishme, si Asambleja e Përgjithshme e UWW Europe, si dhe seminare e trajnime për arbitrat ndërkombëtarë.
Organizimi i këtij eventi konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e sportit të mundjes dhe forcimin e imazhit të Shqipërisë si një vend pritës i eventeve të mëdha sportive ndërkombëtare.
