Tiranë, 26 gusht, Zhurnal.mk – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Brain Nest Institute, ka lançuar nismën BRIDGE2EU – Nga Potenciali Lokal drejt Mundësive Evropiane, e cila synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) shqiptare në orientimin dhe aksesin ndaj mundësive evropiane të financimit dhe zhvillimit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se, programi është ndërtuar mbi nevojat konkrete të bizneseve, duke i ndihmuar ato të identifikojnë mundësitë e financimit dhe instrumentet evropiane që lidhen me objektivat e tyre të zhvillimit.
Në kuadër të nismës do të zhvillohen 4 workshope, ku NVM-të pjesëmarrëse do të njihen me programet dhe instrumentet e financimit të BE-së, Single Market Programme, mundësitë e cascade funding dhe instrumentet financiare për bizneset.
Programi përfshin gjithashtu informacion mbi mundësitë në inovacion, digjitalizim dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe orientim për kërkimin dhe aplikimin në thirrjet e BE-së dhe identifikimin e partnerëve të përshtatshëm.
Një tjetër komponent i BRIDGE2EU është mbështetja për përgatitjen e një Concept Note për një projekt konkret të biznesit.
Ibrahimaj u bëri thirrje NVM-ve të interesuara të plotësojnë formularin e regjistrimit dhe identifikimit të nevojave. Afati i aplikimit është 6 shtator 2026.
Nisma synon të krijojë një urë më të drejtpërdrejtë mes potencialit të bizneseve shqiptare dhe mundësive të financimit dhe zhvillimit që ofrohen në nivel evropian.

