Me sistemin e tij e-Power, Nissan ka prezantuar një teknologji ku motori me benzinë shërben vetëm për të karikuar baterinë, ndërsa lëvizja e automjetit realizohet nga një ose më shumë motorë elektrikë.
Tani, Nissan Qashqai e-Power ka hyrë në Librin Guinness të Rekordeve, pasi versioni i përmirësuar me gjeneratën më të fundit të sistemit e-Power arriti të përshkojë saktësisht 1.980 kilometra me një rezervuar të vetëm karburanti.
Me këtë rezultat, ai vendosi rekordin për distancën më të gjatë të përshkuar nga një SUV me zgjerues autonomie (range extender), pa pasur nevojë për karikim të jashtëm ose furnizim shtesë me karburant.
Udhëtimi u zhvillua në Kolumbi, nga 14 deri më 17 korrik 2026, në itinerarin nga Bogotá deri në bregdetin e Karaibeve, duke përfshirë kushte të ndryshme të drejtimit. Megjithatë, Nissan nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme për rrugën e ndjekur.
Për t’u njohur zyrtarisht rekordi nga Guinness, gjatë gjithë udhëtimit drejtuesit janë shoqëruar nga një ekspert i pavarur. Konsumi zyrtar i modelit Qashqai e-Power është 4.3 litra për 100 kilometra.
Vlen të theksohet se, në këtë kategori mjaft specifike, Qashqai nuk kishte deri më tani asnjë rival të njohur zyrtarisht dhe, rrjedhimisht, as një rekordmen të mëparshëm. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në të ardhmen.

