Tiranë, 7 gusht, Zhurnal.mk – Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka përforcuar masat teknike dhe operative për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike në zonën e Lezhës dhe Shëngjinit gjatë sezonit turistik, falë investimeve të kryera në rrjetin e shpërndarjes.
Nga nënstacioni i rikonstruktuar i Lezhës, inxhinieri i OSSH-së, Marjo Lajthia bëri të ditur se investimet kanë rritur kapacitetin dhe besueshmërinë e rrjetit elektrik në një nga zonat me fluksin më të lartë të turistëve gjatë verës.
“Në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e furnizimit me energji elektrike në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik, falë investimeve të realizuara kemi kaluar rrjetin nga 10 në 20 kilovolt, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike”, u shpreh Lajthia.
Ai theksoi se OSSH ka investuar edhe në kabinat elektrike, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe duke minimizuar mundësinë e avarive gjatë periudhës së pikut të konsumit.
“Në kuadër të gatishmërisë administrative, në Shëngjin është vendosur një ekip në gatishmëri 24 orë, i cili ndërhyn në kohë rekord për eliminimin e çdo avarie. Gjithashtu, kemi vendosur në dispozicion të klientëve numrat e kontaktit të dispeçerisë dhe kollsenterit qendror për çdo problematikë që mund të haset”, tha ai.
Sipas OSSH-së, deri më tani nuk janë regjistruar probleme në furnizimin me energji elektrike në zonën e Shëngjinit, ndërsa masat e marra dhe investimet e realizuara kanë garantuar një shërbim të qëndrueshëm për banorët, bizneset dhe turistët gjatë sezonit veror.
Për t’u ardhur në ndihmë abonentëve, OSSH ka vënë në dispozicion Dispeçerinë e Lezhës në numrin 069 414 7780 dhe kollsenterin qendror 24 orë, në 04 227 4141.
